
Një pjesë e Parisit ka mbetur pa energji elektrike si pasojë e protestës së një sindikate të energjetikës kundër reformës së pensioneve të propozuar nga presidenti i vendit Emanuel Macron.
Punonjësit e “Cgt Energie”, përmes faqes së tyre zyrtare në internet, kanë njoftuar se ndërprerja e energjisë është e qëllimshme për të kundërshtuar reformën e pensioneve dhe për pasojë kanë mbetur pa energji mbi 30 mijë persona në komunat Rungis dhe Orli në ishullin e Francës. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i kompanisë, e cila paditi punonjësit përgjegjës për ndërprerjen e energjisë.
Për këtë ngjarje ka reaguar dhe presidenti Macron, i cili e ka konsideruar si një akt skandaloz dhe papërgjegjshmërie.
Sekretari i përgjithshëm i Fnme-Cgt, Sèbastien Menesplier deklaroi se objektivi i “blackout” është për të përshkallëzuar mobilizimin kundër reformës deri në 24 janar, datë kur ajo do të prezantohet në Këshillin e Ministrave. Sindikalisti shton se në sektorin e energjisë lufta kundër reformës nuk do të ndalojë. Ai u shpreh se nuk i trembet as denoncimit nga operatori i rrjetit të energjisë elektrike për ndërprerjen e energjisë. (A2 Televizion)