Protestat në Serbi, Vucic: Autorët e dhunës do të ndëshkohen

Nga A2 CNN
18 Mars 2019, 10:49 | Ballkani
Protestat në Serbi, Vucic: Autorët e dhunës do të

Askush nuk duhet të ketë më frikë pasi dhuna do të marrë fund. Ky ishte mesazhi i presidentit serb Aleksandar Vucic pas protestave të dhunshme të fundjavës në Beograd. Gjatë një interviste për televizionin pro-shtetëror “Pink”, numri një i Serbisë u zotua për ndëshkimin e atyre që përdorën forcën.

Protestat në Serbi vazhduan edhe pasditen e së dielës. Mijëra vetë u mblodhën para presidencës në kohën kur Vucic po i drejtohej vendit pas protestave të së shtunës, kur grupe qytetarësh hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror në shenjë pakënaqësie me qasjen e njëanshme të tij. “Nuk do të lejojmë që një pakicë prej një, dy, pesë apo njëqind mijë personash të kërcënojnë Serbinë me dhunë”, u shpreh Vucic.

Një numër i madh efektivësh rrethuan për disa orë me radhë godinën e presidencës, ndërsa protestuesit kërkuan dorëheqjen e Vucic. Ky i fundit u largua nga zyrat e tij pasi protestuesit zbrazën sheshin para presidencës. “Serbia nuk është një vend i civilizuar, dhe nuk do të jetë për aq kohë sa qeveriset nga njerëz të pa civilizuar, arrogantë dhe paedukatë”, tha Vladimir Dedijer, qytetar i Beogradit.

Të shtunën policia ndërhyri në ndërtesën e televizionit shtetëror serb dhe nxori prej andej grupet e protestuesve përfshirë edhe disa udhëheqës opozitar, të cilët kërkonin që t’u jepej hapësirë në emisionet qendrore të lajmeve. Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç, paralajmëroi ndjekjen penale të atyre që hynë në ndërtesë, ndërsaministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i tha televizionit pro qeveritar “Pink” se protestuesit janë “fashistë” dhe duhet të dënohen me ashpërsi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos