Protestuesit bllokojnë televizionin shtetëror, Vučić largohet nga dera e pasme

Nga A2 CNN
6 Nëntor 2019, 12:40 | Ballkani
Protestuesit bllokojnë televizionin shtetëror, Vučić largohet nga

Vazhdojnë pakënaqësitë ndaj presidentit të Serbisë. Qindra qytetarë protestuan në hyrje të godinës së televizionit shtetëror “RTS” në Beograd kundër Aleksandar Vučić duke i bllokuar atij rrugën. Presidenti serb hyri në godinë për intervistën e tij nga dera e pasme. Protestuesit e shumtë e akuzojnë kreun e shtetit për kontroll të mediave dhe e bëjnë përgjegjës për mos zgjidhjen e çështjeve të vështira.

Nën thirrjet “Vučić hajdut”, lideri i opozitës, Bosko Obradovic tha se qeveria e Partisë Progresiste të Serbisë është autokratike dhe e korruptuar.

“Ai hyri përmes kanaleve të minjve nga qendra Sportive Tasmajdan. Vučić tregoi se është politikani më frikacak në politikën bashkëkohore të Serbisë”, tha Bosko Obradovic, lider i opozitës në Serbi.

E ndërsa qindra qytetarë protestonin jashtë godinës, presidenti serb publikoi në rrjete sociale një fotografi brenda televizionit shtetëror duke falënderuar mbështetësit e tij. Gjatë intervistës, Vučić e cilësoi vendimin e opozitës për të protestuar një sjellje fashiste.

“Ne nuk kemi përdorur kurrë policinë kundër protestuesve. Të gjitha vendet e zhvilluara e përdorin, por jo Serbia. Jam i gatshëm t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve, por nuk mendoj se është zgjidhje t’i ndalosh dikujt lirinë e lëvizjes. Kjo është sjellje fashiste”, tha ai.

Pas përfundimit të intervistës, Vučić u largua ashtu siç hyri, nga dera e pasme… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos