
Vendimi i Brukselit për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të ndryshojë brenda pak muajve. Me këtë mesazh vizitoi Shkupin, presidenti i ri i Parlamentit Europian, David Sassoli.
“Mendoj se disa vende të cilat kishin rezerva kanë filluar që tani të ndryshojnë qëndrim dhe kjo është shumë pozitive për ne”, u shpreh Sassoli.
Pas takimit me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, Sassoli tha se Maqedonia e Veriut duhet ta shfrytëzojë këtë periudhë për të vazhduar reformat dhe për të mos e lejuar bllokimin e tyre. Vendimi i Këshillit Evropian sipas tij nuk është dështim, por një lloj frenimi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ne jemi më të fortë sepse të githa institucionet evropiane janë në anën tonë dhe janë të bindura se Maqedonia e Veriut duhet ta fillojë procesin e bisedimeve. Të gjitha kushtet për këtë janë arritur”, shtoi presidenti i ri i PE.
Kryeministri Zoran Zaev përsëriti qendrimin e tij se nuk ka alternativë tjetër për Maqedoninë e Veriut përveç rrugës drejt integrimit në BE. Për Sassolin, kjo është vizita e parë jashtë Brukselit që prej zgjedhjes në krye të Parlamentit Europian. Në datat 2 dhe 3 dhjetor ai pritet të vizitojë Shqipërinë. (A2 Televizion)