
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur për kandidaturat për kryetarë bashkie në bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Damian Gjiknuri tha se për Durrësin do të rikonfirmohet Emirjana Sako, pasi sipas tij ka justifikuar punën e saj. Ai tha se vazhdojnë ende konsultimet për bashkinë e Lushnjës.
“Pas konsultimeve PS konkludoi me kandidaturat. Meqenëse drejtuesi politik i Durrësit nuk ndodhet këtu, për bashkinë Durrës vendosëm të rikonfirmojmë kryetaren aktuale Emirjana Sako, e cila ka justifikuar punën e saj. PS u nis nga parimi për figura të pastra dhe personalitete që mirëpresin qytetarë janë bërë konsultime të thella. Po vazhdojmë me sondazhe për të marrë opinion e anëtarësisë dhe qytetarëve për kandidaturën më të përshtatshme. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhjet me kandidaturat më të mira dhe të fitojmë të gjitha këto bashki”, tha Gjiknuri pas mbledhjes.
Pas tij drejtuesit politikë të qarqeve kanë publikuar emrat e kandidatëve. Për Dibrën do të jetë Rrahmi Spahiu.
“Kryesia e PS mori në analizë kandidaturat e propozuar nga unë si drejtues politik u konkludua që kandidati për dibrën nën sigkën të jetë Rrahmi Spahiu, 55 vjeç, me karrierë të gjatë në sistemin bankar, Dibra ka një shans se do të ketë një menaxher. Është një person me karrierë të gjatë në administratën publike e sistemin bankar. Dibrës i kemi ofruar një kandidat me aftësi menaxheriale dhe do të bëjmë punë të mira pas 6 marsit”, tha Ulsi Manja pas mbledhjes.
Kurse në Shkodër, PS do të kandidojë Majlinda Angonin, e cila aktualisht mban pozicionin e Prefektes së qarkut.
Kryebashkiaku Erjon Veliaj tha se në Bashkinë e Rrogozhinës do të rikandidojë Edison Memolla, kurse në Vorë Blerim Sheraj. (A2 Televizion)