Një epidemi e vërtetë është cilësuar vetëvrasja e tetë e taksistëve në Nju Jork përgjatë këtij viti. Historitë e tyre kanë tërhequr vëmendjen e gjithë komunitetit duke vënë edhe më shumë në dukje dëshpërimin ekonomik të kësaj industrie, ndërsa këshilli i qytetit premtoi se do të rishikojë legjislacionin për të ndihmuar taksistët që të ulin borxhin e tyre dhe të rrisin rrogat.
Secili prej tetë rasteve është i ndryshëm dhe është e vështirë të kuptosh pse dikush vendos t’i marrë jetën vetes. Shumica e taksistëve të vetëvrarë ishin emigrantë, në të ’50-at apo ’60-at, disa prej tyre u kishin thënë familjarëve që po hasnin vështirësi për të siguruar jetesën për shkak se Uber po dominonte industrinë.

Tre prej taksistëve ishin të pajisur me “medaljonin” – një pllakë alumini e detyrueshme për të pasur një taksi të verdhë në Nju Jork. Dikur ajo shitej për më shumë se 1 milionë dollarë, sot vlen vetëm 200 000 dollarë.
I fundit që vrau veten, Roy Kim, ishte një 58-vjeçar i ardhur nga Koreja e Jugut. Medaljonin e kishte blerë vetëm një vit më parë për 578 000 dollarë, duke e festuar si një arritje të madhe. Por këtë vit i ishte ankuar miqve se nuk po ia dilte. E megjithatë ata mbetën të befasuar nga vendimi drastik. “Ishte një njeri bujar dhe gjithmonë na blinte kafe”, kujton një prej kolegëve që mori pjesë në ceremoninë mortore.
Edhe dy taksistë të tjerë zotëronin medaljonin: Nicanor Ochisor, nga Rumania dhe Kenny Chow nga Burma. Të dy u kishin thënë miqve se po hasnin vështirësi të paguanin borxhet. Në shkurt, një taksist me makinë të zezë vrau veten me pushkë, pasi kishte shkruar në Facebook se Uber kishte mbushur rrugët dhe se ai duhet të punonte 100 orë në javë që të mbijetonte.
Por edhe vetë shoferët e Uber kanë ngritur shqetësimin për rrogat e ulëta. Madje prej dy taksistëve të tjerë të vetëvrarë, njëri punonte pikërisht me Uber.

Në gusht, Këshilli Bashkiak miratoi një kuotë tavan për makinat Uber në qytet, duke u bërë i pari ndër qytetet kryesore amerikane që ndërmerr një veprim të tillë. Gjithashtu u tha se po shiheshin alternativat për të lehtësuar borxhin gjigant ndaj taksistëve që kishin një medaljon. Me shpresën, se kjo do të ndalojë vetëvrasjet. (A2 Televizion)