
PSG ka pranuar se Kylian Mbappe ka dëshirë që të largohet, por ka kritikuar ashpër edhe Realin e Madridit, që dje bëri një ofertë prej 160 milionë eurosh për sulmuesin francez.
Drejtori sportiv Leonardo u shpreh kështu për mediat franceze: “Nëse Kylian kërkon të largohet, duhet gjetur një zgjidhje që të na kënaqë edhe neve”.
Që do të thotë, se 160 milionë euro nuk mjaftojnë.
“Ne gjithmonë kemi dashur që ta mbajmë lojtarin tonë dhe t’i rinovojmë kontratën. I kemi bërë oferta njësoj si yjeve të tjerë të skuadrës, madje edhe më shumë. Por, nuk mund të detyrojmë një futbollist që të qëndrojë. Por, do të largohet me kushtet tona. Ende nuk kemi marrë oferta të tjera”, shtoi Leonardo për “Le Parisien”.
“Realit i thamë jo për ofertën e parë sepse është shumë larg asaj që ne pretendojmë dhe madje është larg edhe asaj që kemi paguar ne për futbollistin kur ai ishte 18 vjeç. Ky propozim që vjen nga Reali kur duhen edhe pak ditë nga fundi i merkatos, më duket më shumë si një strategji që më pas të thonë se e tentuan, por nuk u bë dot gjë. Por, ka dy vite që Reali sillet në mënyrë të paligjshme, pasi nuk mund të kontaktojë me një futbollist të një klubi tjetër. Është e papranueshme”, deklaroi më tej Leonardo.
(A2 Televizion)