
Për ekspertët e IT, dalja e databazës së pagave, por edhe e bizneseve në Shqipëri, ndonëse rast i përsëritur mund të shkaktojë probleme të mëdha, pasi të dhënat mund të bien në duart e shërbimeve jo mike të Shqipërisë, ndërsa mund të përdoren dhe nga grupet kriminale.
“Tani bëhet fjalë për të gjithë republikën. Tani, keqdashësit kanë më shumë informacion. Ai përhapet edhe te shtetet fqinje, edhe tek të huajt që nuk ia duan të mirën Shqipërisë, i kanë këto të dhëna që duhet të ishin të ruajtura”, thotë për A2 CNN, eksperti i teknologjisë së informacionit, Emdond Liçaj.
Liçaj thotë se kjo që ndodhi ngre pikëpyetje të mëdha lidhur me funksionimin e institucioneve, ndërsa personat që kanë akses në të tilla të dhëna duhet të kenë certifikatë sigurie. “Nëse do të shohim databazën, atë renditje e ka vetëm një institucion. Ai dokument na identifikon institucionin. Brenda në institucion, të dhëna të tilla i kanë vetëm disa persona, të cilët besoj se janë me certifikatë sigurie”.
Pak kohë më parë, në vend u përhap gjerësisht sistemi me të dhënat personale të rreth 900 mijë qytetarëve të Tiranës. “Sidomos te këto të dhëna, minimumi duhet të ketë 3 nivele autorizimi për t’u futur në sistem”, thotë Liçaj.
Në atë që u quajt sistemi i patronazhistëve u publikuan numrat e identifikimit të qytetarëve, por edhe ato të kontakteve. (A2 Televizion)