
Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e sulmit kibernetik në skandalin e publikimit të pagave, por ka deklaruar se eventualiteti për ndërhyrjet nga brenda sistemit është shumë i lartë. Në krah të drejtueses së AKSHI-t, kreu i qeverisë ia faturoi një pjesë të përgjegjësisë edhe sistemit të vjetër digjital, ndërsa theksoi se ky institucion ka hyrë në një fazë të re teknologjike.
“Kemi të bëjmë me një sistem digjital të 8 viteve më parë. Ky sistem i përket një trashëgimie me të cilën po punohet vijimësisht integrimit të plotë të sistemit të mbrojtjes që nuk është diçka e lehtë për t’u bërë. AKSHI është një sistem ku kryhen ndërveprime. Aspekti që lidhet me ngjarjen dhe AKSHI-n nuk janë në asnjë formë të lidhura me njëra-tjetrën, kjo për t’i siguruar të gjithë qytetarët për integritetin e plotë të të dhënave”.
Kreu i qeverisë pranoi ekspozimin ndaj sulmeve kibernetike, duke theksuar se këto nuk bëhen publike, por në këtë rast mundësia e një sulmi të tillë është minimale.
“Ne jemi të ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike dhe akshi që funksionon me 3 shtylla programimi dhe mirëmbajtjen e sistemit dhe kërkimin shkencor dhe në funksion të programimit dhe mbrojtjen kibernetike përballet rregullisht në mënyrë të përjavshme me sulme kibernetike që nuk bëhen publike, por janë në protokollet e AKSHI-t. Eventualiteti i një sulmi kibernetik është minimal. Kurse i një ndërhyrjeje nga brenda në sistem përmes individësh është shumë i lartë”.
Ai theksoi se po punohet me qeverinë amerikane në fushën e mbrojtjes kibernetike në vend.
“Ne po punojmë në bazë të marrëveshjes me qeverinë amerikane për të përfshirë në këtë sistem një prej forcave më të mëdha të ekselencës që është e “General Jones” dhe që është e përfshirë aktualisht në mbrojtje kibernetike. Jemi të lumtur me performancën dhe rezistencës e jashtëzakonshme digjitale të këtyre dy kompanive shumë të ekspozuara. Përforcimi i mureve mbrojtëse të këtyre sistemeve vazhdon në mënyrë sistematike dhe është e rëndësishme të bëhet hetim i thellë me ekspertë të fushës dhe të thirren nën hetim të gjithë inspektorët që kanë akses në sistem se ky është një sistem i hapur pune. Mundësia e infiltrimit dhe shfrytëzimit kriminal të sistemit përmes veprimeve mekanike është shumë e lartë dhe kemi të bëjmë me faktorin njerëzor. Sistemi është i vjetër, atëherë ky ekspozim është më i lartë dhe AKSHI sot ka hyrë në fazë të re duke përdorur teknologjinë. Çdo lloj lëvizjeje e mausit është regjistruar dhe çdo lloj tërheqjeje e të dhënave është e regjistruar”. (A2 Televizion)