
Ky është momenti tronditës, kur një urë për kalimtarë në shtetin perëndimor të Indisë, Gujarat, u rrëzua ditën e diel, duke lënë të vrarë mbi 140 persona. Ura 230 metra e gjatë mbi lumin Machu në qytezën e Morbit ishte e mbushur me njerëz që shijonin festivalin e dritave, Diwali, një prej festave më të rëndësishme fetare që simbolizon fitoren e së mirës ndaj të keqes.
Ura e varur e cila ishte rihapur prej pak ditësh pas punimeve restauruese, mbahej nga kavo çeliku. Ajo u shemb papritur dhe dhjetëra qytetarët që gjendeshin aty ranë në ujë. Mes tyre raportohet të ketë shumë fëmijë.
Imazhe të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë dhjetëra persona që përpiqen dëshpërimisht të kapen pas kavove të copëtuara për të dalë nga uji.
“Njerëzit po vareshin nëpër tek ura pas aksidentit, por më pas ranë në lumë…Ndihmova në operacionin e shpëtimit dhe dërgova shumë fëmijë në spital”, thotë një dëshmitar.
Mbi 170 persona u shpëtuan nga ekipet e ndërhyrjes së shpejtë. Autoritetet lokale kanë njoftuar nisjen e hetimeve për shkaqet e aksidentit, por ekspertët fajësojnë peshën e madhe mbi strukturën antike dhe mirëmbajtjen e dobët.
Qeveria e Gujarat e përshkruan urën në faqen e saj zyrtare si një mrekulli të inxhinierisë e ndërtuar në fillim të shekullit të kaluar.
Kryeministri Narendra Modi u shpreh thellësisht i hidhëruar dhe njoftoi dëmshpërblim për familjarët e viktimave e të plagosurit në aksident. (A2 Televizion)