Pak javë pas vrasjes barbare të deputetit konservator, Sir David Amess, nga një mbështetës i mundshëm i ISIS, Anglia mund të jetë bërë edhe një herë shënjestër e terrorizmit.
Tre persona u arrestuan në Britaninë e Madhe, pas shpërthimit të një automjeti jashtë një spitali në Liverpul, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër. Një taksi me një pasagjer, parkoi të dielën pranë spitalit dhe shpërtheu pak para mbajtjes së dy minutave heshtje me rastin e ditës së kujtesës. Pasagjeri u shpall i vdekur në vendngjarje dhe pritet të identifikohet.
Sakaq, drejtuesi i mjetit i cili është pagëzuar nga mediat edhe si heroi i ngjarjes, u plagos dhe është ne gjendje të qëndrueshme në spital. Siç mësohet, ai kishte mbyllur brenda taksisë pasagjerin e dyshuar pak momente para shpërthimit, në atë që autoritetet po e trajtojnë si sulm të mundshëm terrorist. Pas bastisjeve të zhvilluara në zonën e Kensington u vunë në pranga 3 meshkuj të moshave 29, 26 dhe 21 vjeç. (A2 Televizion)