Janë publikuar pamjet dramatike të rrëmbimit të katër shtetasve amerikanë në Meksikë, të premten e kaluar. Sipas raportimeve në mediat amerikane, ata ishin futur në territorin meksikan pasi një prej grave do të kryente një ndërhyrje mjekësore.
Por me të kaluar në anën meksikane të kufirit, nga Brownsville të Teksasit, në Matamoros, ata u ndalën nga një grup i armatosur, që dyshohet të jetë pjesë e ndonjë karteli meksikan. Sipas raportimeve paraprake, kriminelët i kanë ngatërruar me trafikantë haitianë emigrantësh.
Në pamje shihet sesi dy burra dhe dy gra hidhen në bagazhin e makinës, duke u tërhequr zvarrë. Ka dyshime se ndaj tyre është qëlluar edhe me armë, por nuk dihet nëse janë gjallë apo jo. FBI ka ofruar 50 mijë dollarë për këdo që ka informacione që do të çonin në lirimin e tyre, ndërsa autoritetet meksikane dhe amerikane kanë nisur operacion të përbashkët për gjetjen e 4 personave. (A2 Televizion)