Punësim, bursa dhe karrierë. Përfitimet e arsimit profesional në Shqipëri

Nga A2 CNN
4 Tetor 2022, 11:33 | Aktualitet
Punësim, bursa dhe karrierë. Përfitimet e arsimit profesional

Investimi i vazhdueshëm në arsimin dhe formimin profesional në Shqipëri, ka krijuar një sistem shkollor të shëndetshëm dhe me impakt të fortë, i cili ofron mundësi të shumta për të rinjtë dhe të rejat që regjistrohen dhe përfundojnë studimet.

Ky evolucion i sistemit arsimor profesional në vend është materializuar falë bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë si UNICEF-i, Ambasada e Italisë, dhe mbështetjes së shtuar të qeverisë shqiptare.

Përfaqësues të institucioneve të shkollave profesionale dhe vetë nxënësit, vajza dhe djem, tregojnë se përfitimet e arsimit profesional në Shqipëri janë reale dhe me ndikim të madh në rezultatet profesionale.

Etleva Gjelaj, Drejtore e Departamentit të Menaxhimit të Arsimit dhe Formimit Profesional në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), tregon se një nga sfidat ka qenë ndryshimi i mentalitetit te të rinjtë, ku arsimi dhe formimi profesional është parë si zgjedhje e dytë. “Ne jemi fokusuar në dy drejtime kryesore. E para duke investuar shumë në sistemin publik të arsimit dhe formimit profesional, qoftë në infrastrukturë dhe burime njerëzore, në kurrikulat që ofrohen, të cilat janë në përshtatje me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike”, thotë Gjelaj.

Ajo vë në dukje se arsimi profesional dhe përfitimet e tij nuk njihen mjaftueshëm edhe pse rezultojnë në krijimin e profesionistëve të rinj dhe në punësim të shpejtë. Për më tepër, edhe mbështetja dhe kushtet e studimit për studentët e arsimit profesional janë në nivele të larta. Shkollat profesionale në Shqipëri, ofrojnë automatikisht gjysmë burse për të gjitha vajzat e regjistruara, si edhe bursë të plotë për të gjithë nxënësit e shkëlqyer. Në total janë rreth 2,500 bursa që jepen çdo vit në arsimin profesional në Shqipëri. Nga ana tjetër, ofrohet edhe strehim falas në konvikte për vajzat që jetojnë më shumë se 5 kilometra larg shkollës.

Eva Qordja, nxënëse në Shkollën Ekonomike Teknike të Tiranës, thotë se të rinjtë që ndjekin arsimin profesional, përfshi vajzat, kanë shanse më të mëdha për punësim dhe janë më të përgatitura për t’u përballur me mjedisin e punës, falë formimit të shtuar profesional që marrin në shkollë. Ajo tregon se ndër mësimet e para që marrin është që të dinë sesi të komunikojnë me punëdhënësin, përfshi edhe në intervistat e punës. “Duke qenë se shkolla ofron këto praktika, ne jemi goxha të përgatitur. Punëdhënësi e di që ne e kemi prekur punën, dhe e dimë sesi është një regjim në një vend pune dhe sesi funksionon ajo. Ndoshta, ndaj kemi këtë trajtim prioritar nga punëdhënësit”, thotë Qordja.

Sipas Gjelaj nga AKPA, në një kohë shumë të hershme, që në vitin e dytë të studimeve, nxënësit kanë mundësi të njohin botën e punës nëpërmjet praktikave profesionale në biznes. Diçka e tillë ka dhënë rezultate të prekshme. “Nga gjurmimi i fundit që kemi bërë, rezulton që pothuajse 60 përqind e nxënësve që janë punësuar, e kanë gjetur punën gjatë kohës së shkollës – pra, pa e përfunduar shkollën, ata kanë arritur të punësohen”, thekson Gjelaj. “Angazhimi i biznesit në të gjithë sistemin e arsimit dhe formimit profesional është diçka për të cilën është investuar shumë gjatë viteve të fundit, që të ofrohen sa më shumë mundësi për praktika profesionale në biznes”, thotë ajo.

Përfshirja e bizneseve në sistemin e arsimit profesional përfaqëson një marrëdhënie të fortë, e cila lidhet drejtpërdrejt me interesin e sektorit sipërmarrës për të tërhequr profesionistë të rinj, të aftë dhe të gatshëm që të punësohen sa më shpejt. “Ndryshimi i interesit të biznesit gjatë viteve të fundit është shumë i dukshëm. Bizneset kanë filluar të angazhohen tashmë, jo vetëm në ofrimin e praktikave profesionale, por edhe t’i mbështesin shkollat me subvencionim në transport, në mentorim dhe në promovim rastesh suksesi”, shpjegon Gjelaj.

Një keqkuptim që haset është se regjistrimi në arsim profesional kufizon studimet e mëtejshme dhe karrierën në nivel akademik. Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Të rinjtë që diplomohen në sistemin e arsimit profesional fuqizohen edhe që të jenë të aftë të punësohen menjëherë, por edhe të vazhdojnë studimet universitare.

Madje, duke qenë se kanë marrë arsim dhe formim të përkushtuar në drejtimin e zgjedhur, atyre iu rriten mundësitë e pranimit në universitet kur konkurrojnë në këto degë. Gjithashtu, dijet dhe aftësitë e përfituara në sistemin e arsimit profesional i mbështesin studentët edhe më tej gjatë studimeve të larta, duke i ndihmuar që diplomohen me sukses në ciklin universitar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos