
Partia Demokratike ka publikuar disa mesazhe, të cilat, sipas tyre, Bashkia e Tiranës i dërgon shtabeve elektorale për të punësuar në vendet vakante me persona që janë mbështetës të Partisë Socialiste.
Kandidatja për deputete e PD, Albana Vokshi, ka nënvizuar se këto janë veprimet e fundit që Edi Rama bën para se të humbasë më 25 prill.
“Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe i Ndriçimit, Herion Rrapaj, u ka dërguar informacion shtabeve të partisë për vende pune që duhen mbushur me njerëz të partisë. Punësimi elektoral është urgjent dhe vartësi i Erion Veliajt në Bashki, u kërkon shtabeve elektorale të Tiranës që të dorëzojnë propozimet e tyre deri ditën e diel, 1 javë para zgjedhjeve. Çdo gjë të këtij shteti që ne e mbajmë në këmbë me taksat tona, Edi Rama dhe Erion Veliaj e kanë vënë në shërbim të pushtetit të tyre. Shpërdorimi i detyrës nga Erion Veliaj dhe vartësit e tij është vepra më e pakët penale që ata kanë konsumuar në ketë rast. Prokuroria mund të vazhdojë të heshtë, siç ka bërë deri tani, por ne do të bëjmë detyrën tonë. Do të çojmë kallëzim penal në prokurori edhe për këtë rast flagrant të vendosjes së shtetit në shërbim të partisë në pushtet 1 javë para zgjedhjeve”, u shpreh Vokshi. (A2 Televizion)