Pushimet e padrejta nga puna, KLSH: “Keqadministrim i përsosur”, fenomeni negativ po rezulton “endemik”

Nga A2 CNN
20 Prill 2022, 14:52 | Ekonomi
Pushimet e padrejta nga puna, KLSH: “Keqadministrim i

Punësimet dhe shkarkimet politike, fenomen qe ka hedhur rrënjë për mëse dy dekada, vijon të boshatisë arkën e shtetit.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, kjo ndodhi edhe vitin e shkuar, duke iu referuar atij që cilësohet si “keqadministrim i përsosur”: “Vijon keqmenaxhimi në përdorimin e fondeve të burimeve njerëzore si pasojë e largimeve të padrejta nga puna të punonjësve, gjë e cila ka rezultuar shpesh në pagesa penalitetesh, komisionesh dhe tarifash angazhimi përmbarimore. Gjithashtu, në shumë raste janë evidentuar vlera të konsiderueshme të paguara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore për largime të padrejta nga puna të punonjësve, të cilat dëmtojnë buxhetin e këtyre njësive”.

E reja në historinë e vjetër të keqadministrimit të administratës publike është se shkarkimet e padrejta nga puna nuk po ndodhin vetëm gjatë ndërrimit të qeverisjes në qendër apo bashki.

Referuar transaksioneve të thesarit, vetëm në 5 vitet e fundit nga Buxheti i Shtetit janë paguar mbi 7 miliardë lekë pas vendimeve gjyqësore për shkarkim të padrejtë nga puna. Viti 2017, i cili përkon me mandatin e dytë të “socialistëve”, këtë herë pa Lëvizjen Socialiste për Integrim mbart edhe vlerën më të lartë të dëmshpërblimeve me gati 2 miliardë lekë.

Barra financiare e shkaktuar nga shkarkimet e padrejta nga puna doli në pah edhe në reportazhin e titulluar, “Shkarkimet e padrejta nga puna dhe kostot e tyre në buxhetin e shtetit” në bashkëpunim me Investigative Network Albania, me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos