Stabilizohet bursa, shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë shtrenjtë faturën e energjisë

Nga A2 CNN
18 Prill 2022, 15:32 | Ekonomi
Stabilizohet bursa, shqiptarët do të vazhdojnë të

Kriza energjetike globale po e detyron Shqipërinë të importojë edhe më shumë energji për konsum. Vetëm gjatë muajit mars, qeveria shqiptare ka blerë një total prej 32 Gwh si pasojë e situatës së vështirë hidrike, por dhe panikut të krijuar nga luhatjet në bursa. Megjithatë, të dhënat e fundit nga KESH tregojnë për një rënie të çmimit gjatë muajin prill ku vendi ynë për periudhën 16-21 prill ka blerë 5730 Mwh në vlerën 191.5 euro. Rreth 100 euro më pak krahasuar me vlerën më të lartë të shënuar gjatë muajit mars, 286 euro/mwh.

Sipas ekspertit për energjinë, Lorenc Gordani aktualisht situata në bursa po stabilizohet e ndikuar nga ecuria e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Por në afatgjatë, Gordani parashikon se çmimet mund të arrijnë deri 230 euro/mwh, shumë më të shtrenjta se normalisht. 

Pak ditë më parë, qeveria vendosi dhe faturimin me fashë, ku familjet që shpenzojnë mbi 700 mwh do të tarifohen me çmimin e tregut. Për ekspertin, kjo ndërhyrje ishte e detyruar, por që mund të sjellë pasoja negative për OSHEE-në, e cila do të përballet me mospagesa të faturave nga familjarët.

Ekspertët sugjerojnë gjetjen e formave alternative për të plotësuar nevojat për energji për të mos u varur në import. Ndërkohë për sezonin turistik, vendi do të furnizohet nga dy anije që prodhojnë energji të ankoruara në Triportin e Vlorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos