
Presidenti rus Vladimir Putin ka emëruar një gjeneral të ri për të drejtuar luftën në Ukrainë, në një kohë që ushtria e tij po ndryshon planet pas dështimit për të marrë kontrollin e Kievit.
Sipas disa zyrtarëve perëndimor, tashmë gjenerali i ushtrisë Alexander Dvornikov, komandant i Qarkut Ushtarak Jugor të Rusisë, është emëruar drejtues i fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë.
60-vjeçari Dvornikov ishte komandanti i parë i operacioneve ushtarake të Rusisë në Siri, pasi Putin dërgoi trupa atje në shtator 2015 për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad. Gjatë komandës së Dvornikov në Siri nga shtatori 2015 deri në qershor 2016, avionët rusë mbështetën regjimin e Asadit dhe aleatët e tij ndërsa rrethuan Alepon lindore të kontrolluar nga rebelët, duke bombarduar lagje me popullsi dhe duke shkaktuar viktima të mëdha mes civilevë.
Forcat ruse kanë përdorur një qasje të ngjashme të ashpër në pjesë të ndryshme të Ukrainës, duke goditur ndërtesa banimi në qytetet kryesore dhe shkatërruar pjesën më të madhe të Mariupolit.
Sipas zyrtarëve perëndimor, tashmë do të duhet të shihet në terren se sa ndikime do të kenë këto ndryshime në krye të ushtrisë ruse, duke shtuar se taktikat e saj mbeten pothuajse të njëjta që nga koha e Afganistanit.
Caktimi i një komandanti të ri të përgjithshëm për luftën e Rusisë në Ukrainë mund të jetë një përpjekje për të krijuar një strategji më kohezive. CNN raportoi më parë se Rusia nuk kishte komandant për operacionet në Ukrainë, që do të thotë se njësi nga rrethe të ndryshme ushtarake ruse kanë funksionuar pa koordinim dhe ndonjëherë në qëllime të kryqëzuara. (A2 Televizion)