
Presidenti rus Vladimir Putin i ka kërkuar qeverisë që të marrë nën kontroll muzikën rep pasi disa koncerte janë anuluar në të gjithë vendin. Përpjekjet për ta ndaluar zhanrin janë të pamundshme, kështu që shteti duhet të ketë më shumë kontroll mbi të, citohet të ketë thënë Putin, i cili ia ka deleguar këtë detyrë ministrisë së Kulturës.
Komentet e presidentit rus u bënë pasi reperi i njohur rus Husky u arrestua pasi disa prej koncerteve të tij u anuluan. Autoritetet e quajtën koncertin e këngëtarit - emri i vërtetë i të cilit është Dimitry Kuznetsov – si shfaqje ekstremizmi. Ai u burgos për 12 ditë pasi performoi mbi një makinë para ndjekësve të tij.
"Muzika rap dhe forma të tjera moderne të artit mbështeten mbi tre shtylla: seksi, droga dhe protesta”, tha Putin. "Më tepër i shqetësuar jam për drogën, pasi është mënyra për degradimin e një kombi”.
Qeveria ruse ka prej kohësh një marrëdhënie të ndërlikuar me muzikën. Në kohën e Bashkimit Sovjetik, sikurse edhe në Shqipëri, një pjesë e mirë e muzikës perëndimore shihej shtrembër dhe disa muzikantë rusë janë përndjekur, madje edhe muzikantë të muzikës klasike. (A2 Televizion)