
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar "Babina", në përfundim të së cilit u arrestua një 29-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri pistoletë dhe një shumë të konsiderueshme eurosh me vete.
Sikurse njofton policia, i riu me iniciale A.Q., gjendej në një lokal në qytetin e Bajram Currit, kur gjatë kontrollit iu gjet në çantën e dorës, një pistoletë, një karikator me 6 fishekë dhe 10180 euro.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Babinë, u gjet dhe u sekuestrua edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov me 28 fishekë, ndërsa në afërsi të banesës u gjet një sasi prej 2.9 kg lëndë e dyshuar kanabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprat penale "Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit" si dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". (A2 Televizion)