
Policia e Lushnjës ka parandaluar një krim në familje në fshatin Dushk, duke arrestuar një 41-vjeçar, i cili ka kanosur dhe qëlluar me armë zjarri drejt nënës së tij.
Në pranga ka rënë shtetasi Edmond Kadiu, i cili ka qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
“41-vjeçari E.K, porsa ka parë shërbimet e Policisë është larguar menjëherë, por pas ndjekjes nga shërbimet e Policisë është lokalizuar në një lokal në fshatin Dushk, Lushnjë, dhe falë ndërhyrjes me profesionalizëm, u bë neutralizimi në kohë i tij dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë me fishekë në fole gati për qitje dhe një krëhër me fishekë luftarakë”, njofton policia.
Gjithashtu është shpallur në kërkim shoku i tij 65-vjeçar, pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe lëndë narkotike.
“U ushtrua kontroll në banesën e shtetasit A. Z., me të cilën autori shoqërohej. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. Z., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, 46 fishekë luftarakë dhe një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në 31 doza”, njofton Policia.
Policia ka sekuestruar dy armë zjarri pistoletë, fishekë luftarakë dhe lëndë narkotike cannabis sativa. (A2 Televizion)