Qeveria lejon kultivimin e kanabisit mjekësor, miratohet projektligji

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 15:47 | Politikë
Qeveria lejon kultivimin e kanabisit mjekësor, miratohet projektligji

Pas dy viteve diskutimeve dhe konsultimeve, qeveria i ka dhënë dritën jeshile kultivimit dhe përpunimit të kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri.

Skepticizmi i ndërkombëtarëve dhe kundërshtimi i opozitës në vend nuk e kanë penguar Edi Ramën ta miratojë projektligjin e propozuar nga 3 ministri, duke e kaluar atë në Parlament.

Qeveria ka miratuar projektligjin për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së kanabisit dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale. Nga këshillimi kombëtar ku 61% e qytetarëve iu përgjigjën pozitivisht kësaj pyetje për inicimin e kësaj nisme ka filluar puna nga disa ministri. Ky projektligj që është propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Brendshme përcakton të gjithë kuadrin rregullator të mënyrës se si do iniciohet procesi për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të kanabisit vetëm për qëllime mjekësore”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Për të kontrolluar prodhuesit, që nga marrja e licencës deri te zbatimi final i ligjit, drafti parashikon ngritjen e një agjencie të posaçme kombëtare.

Hartimi i këtij dokumenti është realizuar me ekspertë shqiptarë dhe të huaj”, pohoi ministrja e Shëndetësisë, sipas së cilës, për disa pika ka marrë edhe mendimin e BE.

Projektligji i qeverisë për kultivimin e kanabisit mjekësor dhe industrial do të duhet të kalojë në komisionet parlamentare, por për t’u miratuar mazhorancës nuk i nevojitet që të kërkojë votat nga radhët e opozitës, pasi mjaftojnë 71 kartona jeshil. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos