“Qeveria të sakrifikojë bashkë me ne”

Nga A2 CNN
3 Prill 2020, 20:49 | Ekonomi
“Qeveria të sakrifikojë bashkë me ne”

Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, ka deklaruar për “A2 Business Week” se nëse qeveria nuk ndërhyn shpejt, shumë kompani do të falimentojnë.

“Kërkojmë bashkëpunim nga qeveria, kërkojmë bashkësakrifikim. Biznesi i madh po sakrifikon dhe për muajin mars janë paguar të gjitha detyrimet. Për prillin do të jetë problem. Italia u ul me industritë më të mëdha dhe arriti në përfundimin që të krijojë një paketë që i përshtatet nga pak të gjithëve”, tha Shkodra.

Sipas tij, “sa më shumë kalon koha, tregjet do të humbasin dhe produktiviteti do të bjerë”.

“Nuk do të mbetet më asnjeri për t’u shpëtuar nëse qeveria vonon të ndërhyjë. Kërkojmë që ndërmarrjet e mbyllura të furnizohen me likuiditet përmes granteve dhe jo kredive”, theksoi Shkodra.

“Ka kompani ushqimore që sot performojnë mirë, ka kompani të mbyllura totalisht dhe do të hyjnë në kolaps dhe kemi kompani që kanë reduktuar të ardhurat dhe eksportet. Nëse nuk ndërhyhet tani, kompanitë e dy grupeve të fundit do të falimentojnë”, shtoi sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos