"Qilim Fest" çel sezonin turistik në Gjirokastër

Nga A2 CNN
8 Maj 2022, 20:50 | Kulturë

“Qilim Fest” ofroi për turistë dhe vizitorë të shumtë një spektakël të vërtetë në qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Muzika shoqëronte aktivitetin që gjallëroi pazarin e qytetit, ku qilimat e gurtë u mbuluan nga shtrojat e endura ndër vite nga mjeshtret e tezgjahut, të cilat ofruan për çdokënd të pranishëm këto punime që vijnë si pjesë e një tradite shumë-vjeçare.

“Kemi eksperimentuar çdo punim me fije leshi, që është traditë, por edhe me fije të holle”, thotë një nga artizanet.

Përmes organizimeve të tilla, synimi mbetet që Gjirokastra të jetë zonë turistike përgjatë gjithë vitit. “Duam ta bëjmë Gjirokastrën turistike për 12 muaj, se për 6 muaj e kemi arritur”, deklaroi ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Pamje nga“Qilim Fest”

Vetë turistët duket se konfirmojnë këtë. “Jam nga Holanda dhe kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Ky aktivitet po më pëlqen sepse duket si një festë e vërtetë. Mesa kam parë në këto 2 javët e qëndrimit tim këtu, gjithçka po zhvillohet shpejt dhe çdo qytet duket se është ndërtuar mirë. Çdo vit Shqipëria po bëhet më turistike”, thotë një nga turistet holandeze të pranishme.

Ministrja Mirela Kumbaro me homologët nga rajoni

E në aktivitete të tilla nuk ka si të mungojë zëri i polifonisë që përhapej në çdo cep të parazit, duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse, sidomos për turistët.

 “Deri tani gjithçka duket mirë. Njerëzit janë të këndshëm dhe po më pëlqen. Por do të qëndroj në Shqipëri vetëm për dy ditë dhe ende nuk kam vizituar veriun e vendit, malet e bukura, për të cilat më kanë folur shumë, prandaj do të rikthehem sërish”, deklaroi një turiste e huaj.

Malet shqiptare shtrihet përgjatë disa shteteve ku ka shumë shqipfolës, ndaj nevojitet bashkëpunim që turizmi të zhvillohet dhe natyra të mbrohet, siç pohuan edhe homologet e ministres Kumbaro nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të pranishëm në aktivitetin që shërbeu edhe si çelje e sezonit turistik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos