Racizmi në Bollywood, aktorët nën presion për një ngjyrë më të çelët të lëkurës

Nga A2 CNN
8 Qershor 2020, 21:27 | Lifestyle
Racizmi në Bollywood, aktorët nën presion për një

Përdorimi i “make up”-it në tonalitete më të errëta se ngjyra natyrale e lëkurës është një nga praktikat më të kritikuara të një prej industrive më të mëdha të prodhimit të filmave në botë, Bollywood-it.

Fenomeni i njohur si “fytyra-kafe” shihet si një shenjë e pastër racizmi nga Neeraj Ghaywan, regjisor, fitues i një sërë çmimesh kinematografike.

Portrete të aktorëve grimohen në tonalitete të errëta, sidomos kur duhet të luajnë një personazh që vjen nga shtresat e ulëta të shoqërisë. Ashtu si rëndomtë ka ndodhte në fillimet e Hollywood, kritikët e kësaj praktike thonë se në Bollywood preferojnë ketë manovër dhe jo punësimin e aktorëve, të cilët kanë natyralisht ngjyrë më të errët lëkure, duke shfaqur kështu diskriminim dhe pabarazi në industrinë e filmave indian.

Në vitin 2019, shfaqja e filmit “Bala”, një prodhim mjaft popullor, solli një lumë kritikash e akuzash për diskriminim racor e pabarazi. Shumë përfaqësues mediash dhe qytetarë në rrjetet sociale reaguan për përzgjedhjen e aktores Bhumi Pednekar, e zgjedhur për rolin e një gruaje të diskriminuar dhe bullizuar, për shkak të ngjyrës së errët të lëkurës.

Komentuesit u ndalën gjatë edhe në ironinë e një posteri, ku aktorja  që nxiu fytyrën për rolin, shfaqej e rrethuar nga produkte kozmetike për zbardhjen e lëkurës.

“Diskriminimi prej ngjyrës së lëkurës nuk është vetëm në Bollywood, por shfaqet hapur dhe rëndom edhe në raftet e farmacive apo supermarketeve ku marketohen me të madhe produktet për zbardhjen e lëkurës”, shprehet një modele indiane e shpërngulur në Los Angeles. Dhe janë të shumtë personazhet VIP indianë, të cilët janë bërë imazhe të fushatave promovuese për të tilla produkte kozmetike.

Përpjekjet për zbardhjen e lëkurës nuk ndalen vetëm te kremrat. “Ne kemi shume pacientë, që aspirojnë të prekin Bollywoodin, të cilët i nënshtrohen trajtimeve mjekësore për të pasur një lëkurë të bardhë”, thotë Sujata Chandrappa, dermatologe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos