
Radhë të gjata me automjete janë krijuar mbrëmjen e së hënës në doganën e Kapshticës në anën shqiptare, pas një defekti në sistemin elektronik të pretenduar nga pala greke.
Defekti ka bërë që të bllokohet hyrja e shtetasve shqiptarë në drejtim të Greqisë për disa orë. Që prej orës 20:00 të mbrëmjes, shtetasit shqiptarë nuk kanë kaluar dot për në tokën greke, ndërsa janë krijuar radhë të gjata automjetesh në pritje të kaluar kufirin.
Mësohet se përjashtim është bërë vetëm për shtetasit që dispononin pasaportë greke dhe disa të tjerë me lejë qëndrimi në vendin helen.
Për shkak të radhëve të gjata, janë kthyer pas dhjetëra automjete, qofshin këto autovetura, por edhe autobusë udhëtarësh, të cilët nuk kanë marrë sqarim se kur mund të zgjidhet problemi. (A2 Televizion)