Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, votojnë sot në zgjedhje të dyfishta, ato parlamentare dhe raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale të cilat janë cilësuar si tejet të rëndësishme për rrugëtimin e vendit drejt BE-së.
17 parti e koalicioni marrin pjesë në garë, ku beteja kryesore do të jetë mes VMRO-DPMNE dhe LSDM-së në pushtet, në kampin maqedonas, dhe frontit shqiptar të kryesuar nga BDI dhe koalicioni opozitar vlen, në atë shqiptar.
Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka gjithsej 120 vende. Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.
Sipas sondazheve, VMRO-DPMNE-ja në opozitë, e cila ka kundërshtuar kompromiset për integrim në BE, si ai për emrin me Greqinë dhe ndryshimet në kushtetutë për përfshirjen e pakicës bullgare, pritet të sigurojë një fitore të thellë.
Qytetarët shprehen te frustruar dhe kërkojnë ndryshim.
“Pres ndryshime për mirë, pasi kemi prekur fundin. Besoj do shkojë më mirë...për krijimin e qeverisë, partia fituese duhet të sigurojë 61 vende në parlament,” shprehet Igor Lazare.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka shprehur dëshirën për të bërë aleancë me koalicionin shqiptar në opozitë, Vlen, i udhëhequr nga Arben Taravari, çka do të bënte që BDI-ja deri më tani në pushtet, e udhëhequr nga Ali Ahmeti të kalonte në opozitë.
Sa i përket zgjedhjeve presidenciale, në garë janë dy kandidatë të cilët siguruan më shumë vota në raundin e parë, Gordana Silianovska Davkova nga VMRO-DPMNE dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.
Favorite eshte Davkova e VMRO-DPMNE, e cila në raundin e parë siguroi 40 për qind të votave. Që presidenti të zgjidhet, do të duhet të arrihet një prag zgjedhor prej 40 për qind të daljes në votime. (A2 Televizion)