Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.3 goditi provincën bregdetare të Esmeraldas në veriperëndim të Ekuadorit, duke shkaktuar plagosjen e të paktën 20 personave dhe dëmtimin e dhjetëra ndërtesave.
Sipas të dhënave zyrtare nga Shërbimi Kombëtar i Menaxhimit të Rrezikut tërmeti ka dëmtuar rreth 60 ndërtesa, përfshirë institucione publike dhe biznese. Dëme janë raportuar edhe në infrastrukturën rrugore dhe një urë kryesore që lidh disa komunitete të zonës.
Tërmeti u regjistrua rreth 8.4 kilometra nga qyteti Esmeraldas, kryeqendra e provincës me të njëjtin emër. Lëkundjet janë ndjerë në 10 nga 24 provincat e vendit, duke shkaktuar panik te qytetarët dhe ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe shërbimeve të komunikimit në disa zona.
Autoritetet lokale kanë nisur operacionet e emergjencës për të ndihmuar të plagosurit dhe për të vlerësuar më tej dëmet. Ekipet e shpëtimit janë në terren, ndërsa qeveria e Ekuadorit ka bërë thirrje për qetësi dhe bashkëpunim nga qytetarët. (A2 Televizion)