2025, viti i goditjes ndaj “Katër Familjeve” të akuzuara për mashtrime kibernetike

Nga A2 CNN
4 Janar 2026, 11:23 | Bota

2025, viti i goditjes ndaj “Katër Familjeve” të akuzuara

Viti 2025 shënoi goditjen e të ashtuquajturave “Katër Familje” kriminale që për vite me radhë drejtonin një nga rrjetet më të mëdha globale të mashtrimeve online, me bazë në rajonin Kokang të Mianmarit, pranë kufirit me Kinën. CNN ka sjellë detaje të tmerrshme, të zbuluara gjatë marrjes në pyetje të disa prej manjatëve kriminalë më famëkeq të Azisë, por edhe dëshmi të të mbijetuarve.

“Njerëzit tregtoheshin si mallra, kafaze hekuri përdoreshin për ndëshkim, gishta të prerë dhe madje edhe sakrifica njerëzore”, raporton CNN, duke ekspozuar tmerrin e jetës në shumë fabrika mashtrimi që shpërndahen përgjatë kufirit të ashpër dhe pa ligj të Mianmarit me Kinën, përcjell A2 CNN.

Sipas autoriteteve kineze dhe raportimeve ndërkombëtare, këto klane; Bai, Liu, Wei dhe Ming, ndërtuan perandori miliardëshe mbi mashtrime në internet, kazino ilegale, trafik njerëzor, drogë dhe prostitucion, duke shfrytëzuar mijëra persona, kryesisht shtetas kinezë, të trafikuar ose mashtruar për të punuar në qendra kriminale.

Tortura, rrahjet dhe shitja e punëtorëve ishin të zakonshme, raportuan mediat shtetërore kineze, përcjell A2 CNN dhe secila familje përdorte milicitë e veta private për të mbajtur nën kontroll punonjësit.

Punëtorët e pabindur detyroheshin të futeshin në kafaze hekuri ose në dhoma të vogla e të errëta, ku rriheshin ose mbaheshin pa ushqim, ose ujë derisa të bindeshin, një metodë ndëshkimi e përdorur nga disa nga klanet Kokang, sipas hetimeve kineze.

“Në dhomën e errët, shtatë ose tetë persona më rrahën së bashku. Ata përdorën tuba dhe shkopinj PVC-je, madje më shkulën thonjtë me pinca. Pastaj më prenë dy gishta me një thikë kuzhine”, tha për CCTV një i mbijetuar i një prej banesave mashtruese në Bai, i identifikuar vetëm si Liao.

Një tjetër i mbijetuar, me mbiemrin Zhu, tha se fillimisht u bindën të çonin orë luksoze përtej kufirit për të fituar para.

"Sapo arrita në kufi, më kapën dhe më shitën direkt. Ai tha se nëse nuk do të jepja rezultate, do të më shiste ose do të më varroste të gjallë", rrëfeu ai.

Hetuesit kinezë gjetën gjithashtu dhjetëra gra të detyruara të prostituoheshin në këto komplekse. Grave u ishin konfiskuar dokumentet dhe telefonat dhe ishin mbyllur në dhoma të ruajtura nga burra të armatosur derisa të mund të shlyenin një borxh arbitrar, shkruan A2 CNN.

Ndërsa mijëra punëtorë të tyre jetonin në terror, familjet e tyre ndërtuan një jetë luksoze, duke organizuar festa ditëlindjesh dhe bankete luksoze, ku merrnin pjesë anëtarë me ndikim të ushtrisë dhe qeverisë së Myanmarit. Ata shpenzuan paratë e tyre për dhjetëra makina dhe ora luksoze, helikopterë, vila dhe pasuri të patundshme ndërkombëtare të shtrenjta, sipas hetimeve kineze, përcjell A2 CNN.

Industria globale e mashtrimeve, pjesa më e madhe e së cilës është e përqendruar në Azinë Juglindore, vlerësohet të ketë një vlerë midis 50 dhe 70 miliardë dollarëve, dhe vetëm vitin e kaluar  mashtroi viktimat në Shtetet e Bashkuara me të paktën 10 miliardë dollarë, shkruan A2 CNN.

Pas ofensivës ushtarake në vitin 2023 dhe rimarrjes së qytetit Laukkaing në fillim të 2024-ës, qindra viktima u liruan dhe dhjetëra krerë të rrjeteve kriminale u arrestuan e u ekstraduan në Kinë.

Në vitin 2025, gjykatat kineze dënuan dhjetëra anëtarë të këtyre familjeve, përfshirë dënime me vdekje për disa drejtues, për akuza si mashtrim, vrasje, rrëmbim dhe zhvatje.

Autoritetet kineze deklarojnë se goditja ndaj këtyre rrjeteve do të vazhdojë, ndërsa industria globale e mashtrimeve online mbetet ende një kërcënim serioz ndërkombëtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos