Për muaj të tërë, presidenti venezuelian Nicolas Maduro ishte nën vëzhgim të vazhdueshëm nga shërbimet sekrete amerikane. Çdo lëvizje e tij monitorohej në detaje: ku flinte, çfarë hante, çfarë vishte, madje edhe kafshët e tij shtëpiake. Në ekipin e inteligjencës kishte edhe burime brenda vetë qeverisë venezueliane. Ishte përgatitja e heshtur e një operacioni që do të ndryshonte rrënjësisht balancat në Amerikën Latine, raporton A2 CNN.
Në fillim të dhjetorit u finalizua plani i koduar “Operation Absolute Resolve”, rezultat i muajve të planifikimit sekret dhe stërvitjeve intensive. Trupat elitare amerikane kishin ndërtuar madje edhe një kopje identike, në përmasa reale, të strehës së sigurt të Maduros në Karakas, për të ushtruar hyrjen në objektiv. Një ndërhyrje ushtarake e përmasave të tilla, sipas zyrtarëve, nuk ishte parë në rajon që nga Lufta e Ftohtë.
Kongresi amerikan nuk u informua paraprakisht, për të ruajtur surprizën absolute. Urdhri për nisjen e misionit erdhi në orën 22:46 me orën e Bregut Lindor të SHBA-së, pak para mesnatës në Karakas. Presidenti Donald Trump e dha dritën jeshile pasi kushtet atmosferike u konsideruan ideale, shkruan A2 CNN.
“Prisnim momentin e duhur,” deklaroi vetë Trump. Operacioni u zhvillua për mbi dy orë, nga ajri, toka dhe deti, me një precizion të paprecedentë.
Më shumë se 150 avionë, bombardues, avionë luftarakë dhe mjete zbulimi, u angazhuan gjatë natës. Rreth orës dy të mëngjesit, Karakasi u trondit nga shpërthime të fuqishme. Banorët raportuan errësirë totale, dritare që dridheshin dhe avionë e helikopterë që fluturonin mbi qytet. Sulmet goditën baza ajrore, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe objekte ushtarake strategjike, ndërsa sipas Trump, energjia elektrike e kryeqytetit u ndërpre qëllimisht përpara hyrjes së trupave. Mes kaosit dhe tymit, forcat elitare amerikane, përfshirë anëtarë të Delta Force, hynë në Karakas. Ata u drejtuan drejt strehës së sigurt të Maduros, të cilën Trump e përshkroi si një “fortesë ushtarake”. Trupat hasën rezistencë dhe u qëlluan me armë, një helikopter u godit, por operacioni vijoi. Brenda pak minutash, presidenti venezuelian tentoi të arratisej drejt një dhome të blinduar, por u neutralizua përpara se të mbyllte derën, përcjell A2 CNN.
Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u arrestuan dhe u nxorën nga territori venezuelian me helikopter, nën kontrollin e Departamentit amerikan të Drejtësisë. Pak orë më vonë, Donald Trump njoftoi botën: “Maduro dhe gruaja e tij do të përballen me të gjithë forcën e drejtësisë amerikane.”
Operacioni ka shkaktuar reagime të forta politike dhe diplomatike. Disa vende e kanë dënuar ashpër ndërhyrjen, duke e quajtur precedent të rrezikshëm, ndërsa në vetë SHBA-në ka shpërthyer debat për anashkalimin e Kongresit, shkruan A2 CNN.
Por për Shtëpinë e Bardhë, mesazhi është i qartë: Amerika është rikthyer me forcë, dhe kapja e Nicolas Maduro-s shënon një nga operacionet ushtarake më të guximshme dhe më të diskutueshme të dekadave të fundit. (A2 Televizion)