3 ditë ferri në Greqi, shpallet gjendja e jashtëzakonshme nga zjarret

Nga A2 CNN
24 Qershor 2025, 16:47 | Bota

Greqia po përballet me një tjetër valë zjarresh shkatërrimtare, këtë herë në ishullin turistik të Hios, ku prej tre ditësh flakët kanë djegur sipërfaqe të mëdha toke dhe pyje, duke detyruar autoritetet të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme.

Qindra zjarrfikës, të mbështetur nga forcat ajrore dhe ndihma nga Athina, Selaniku dhe ishulli i Lesbos, po luftojnë me flakët që përparojnë me shpejtësi në disa vatra. Të martën në mëngjes, mbi 440 zjarrfikës me 85 automjete dhe 13 mjete ajrore (helikopterë dhe avionë) po përballeshin me situatën dramatike, shkruan A2 CNN.

Pamje apokaliptike tregojnë zjarrfikës duke luftuar kundër flakëve, ndërsa qielli është mbuluar nga re të dendura tymi të zi. Disa fshatra janë evakuuar që prej të dielës, kur zjarret shpërthyen pranë qytetit kryesor të ishullit.

Ministri i Mbrojtjes Civile dhe i Krizës Klimatike, Giannis Kefalogiannis, deklaroi se ekziston dyshimi për zjarrvënie të qëllimshme, duke përmendur se zjarret kanë shpërthyer në vende të ndryshme dhe të palidhura me njëra-tjetrën. Ai njoftoi përforcime të policisë dhe patrulla ushtarake të shtuara në Hios. "Kushdo që luan me jetët e qytetarëve dhe shkakton kaos me veprime të qëllimshme do të përballet me drejtësinë", paralajmëroi ai.

Zjarret rrezikojnë gjithashtu plantacionet me pemët e mastikës, një prodhim i çmuar për ishullin. Sezoni turistik është në kulm, çka e bën situatën edhe më kritike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos