Shpërthimi i Nord-Stream: Arrestohet një tjetër i dyshuar

Nga A2 CNN
1 Tetor 2025, 07:09 | Bota

Shpërthimi i Nord-Stream: Arrestohet një tjetër i dyshuar

Tre vjet pas sulmit ndaj linjës gazsjellëse Nord-Stream në Detin Baltik u arrestua një i dyshuar i dytë në Poloni. Sipas të dhënavve të avokatit të të pandehurit bëhet fjalë për ukrainasin Volodymyr Z. Ndalimi i tij u realizua në një zonë periferike të Varshavës. Një zëdhënës i Prokurorisë konirmoi arrestimin në Pruskov, pa e përmendur emrin e të pandehurit dhe deklaroi, se ndaj tij ishte lëshuar urdhër arrest në nivel ndërkombëtar.

Prokuroria Federale e Gjermanisë vë në dukje, se personi i ndaluar është një zhytës i kualifikuar. Ai bënte pjesë në një grup personash, të cilët në shtator 2022 vendosën lëndë shpërthyese në linjën gazsjellëse Nord Stream 1 dhe 2. I pandehuri ka marrë pjesë në zhytjet e nevojshme, ve në dukje Prokuroria Federale në Karlsruhe. Ai akuzohet për bashkëveprim në realizimin e shpërthimit me lëndë eksplozive si dhe për sabotim antikushtetues.

Në gusht të këtij viti Prokuroria Federale realizoi arrestimin në Itali të një tjetër ukrainasi të dyshuar për bashkëveprim për shpërthimin në Nordstream. Sipas hetuesve i pandehuri Serhij K. është një ndër organizatorët e aksionit të sabotimit. Në mes të shtatorit një gjykatë italiane vendosi ekstradimin e tij në Gjermani. I pandehuri K. i hedh poshtë akuzat duke vazhduar të mbrohet juridikisht kundër arrestimit. 

Sulmi ndaj gazsjellësit Nord-Stream tërhoqi vëmendjen në mbarë botën. Disa shpërthime dëmtuan gjithsej katër tubacione gazi aq rëndë, sa ato dolën jashtë përdorimit. Shpërthimet ndodhën në afërsi të ishullit danez në Detin Baltik, Bornholm. Në kohën e shpërthimeve linjat e gazit nuk ishin vënë në funksionim.

Prokuroria Federale e Gjermanisë më 2022 mori përsipër hetimet. Ajo bën përgjegjës për këtë aksion një grup ukrainas i përbërë nga disa burra dhe gra. Për transportimin për në vendin e shpërthimit grupi përdori një jaht velierë, që ishte nisur nga Rostock-u, deklaron Prokuroria e Përgjithshme Federale. Jahti më parë ishte marrë me qira tek një sipërmarrje gjermane nëpërmjet dokumentave të falsifikuara përmes personave të tretë.

Gazsjellësi në fund të detit ishte ndërtuar për transportimin e gazit natyror rus për në Gjermani. Rusia i ndërpreu furnizimet pak pas sulmit – me gjasë si reagim ndaj sanksioneve perëndimore për shkak të luftës sulmuese ndaj Ukrainës. Nord Stream 1 me dy tubacione u inagurua në vitin 2011. Nord Stream 2 – gjithashtu me dy tubacione – përfundoi së ndërtuari dhjetë vjet më vonë, por nuk arriti të vihet asnjëherë në funksionim. DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos