
Shtatë persona kanë humbur jetën në Francë si pasojë direkte ose indirekte e valës së të nxehtit që ka përfshirë vendin. Këtë e tha të martën ministrja franceze e Energjisë.
Pesë nga viktimat humbën jetën nga mbytja në liqene, lumenj ose plazhe. Qeveria franceze ka urdhëruar autoritetet lokale të marrin masa mbrojtëse për qytetarët gjatë aktiviteteve sportive dhe eventeve publike.
Franca po përballet me temperatura mbi mesataren që prej së shtunës. Pjesa më e madhe e rajonit të Bretanjës është vendosur nën nivelin portokalli të alarmit nga agjencia meteorologjike Meteo France, e cila parashikon temperatura deri në 36 gradë Celsius gjatë orëve në vijim. Sipas Meteo France, vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe të mërkurën dhe të enjten. Një valë e pazakontë e të nxehtit ka përfshirë edhe Britaninë e Madhe. (A2 Televizion)