91 viktima nga protestat e dhunshme, dorëhiqet kryeministrja e Bangladeshit

Nga A2 CNN
5 Gusht 2024, 14:32 | Bota

91 viktima nga protestat e dhunshme, dorëhiqet kryeministrja e Bangladeshit

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina ka dhënë dorëheqjen të hënën pasi vendi prej javësh është përfshirë nga protesta të dhunshme.

Lajmin e bëri të ditur shefi i ushtrisë së Bangladeshit, gjenerali Waker-uz-Zaman, pasi protestuesit sulmuan rezidencën zyrtare të kryeministres në kryeqytetin Dhaka.

Pamjet e publikuara tregonin flakët që dilnin nga automjetet pranë shtëpisë së Hasinës, teksa policia nuk po mundte të përmbante turmat e njerëzve që ishin nisur drejt rezidencës.

Të paktën 91 persona mbetën të vrarë dhe qindra të plagosur të dielën në përleshjet mes policisë dhe protestuesve që kërkonin heqjen e kuotave për vendet e punës në qeveri dhe dorëheqjen e kryeministres.

Numri i të vdekurve të dielën, i cili përfshinte 13 oficerë policie, ishte më i larti për një ditë të vetme nga çdo protestë në historinë e fundit të vendit.

Shifra tejkaloi 67 vdekjet e raportuara më 19 korrik, kur studentët dolën në rrugë kundër kuotave, raportoi Reuters. Të paktën 32 fëmijë u vranë gjatë protestave muajin e kaluar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos