Koha e çajit në Kinë tani përfshin përqafime me këlyshë luani, së bashku me një menu me katër pjata të ofruara nga një restorant në provincën veriore, Shanxi, të Kinës.
Risia kineze ka tërhequr vëmendje të gjerë në internet dhe duke nxitur shqetësim për mirëqenien e kafshëve. Në foto dhe video të postuara në internet në platformat Wechat dhe Weibo të Kinës, bie në sy fakti se klientët i përkëdhelin këlyshët e luanit sikur të ishin foshnje.
Ndërkohë, restoranti Wanhui në qytetin Taiyuan paraqet lama, breshka dhe drerë përveç këlyshëve të luanit në faqen e tij në Douyin, homologu kinez i aplikacionit të mediave sociale TikTok.
“Wanhui, i cili u hap në qershor, shet rreth 20 bileta në ditë për klientët që kërkojnë të përkëdhelen me kafshët si pjesë e një menuje fikse që kushton 1,078 juanë (150 dollarë). Shërbimi ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me ligjshmërinë dhe mirëqenien e kafshëve”, tha gazeta shtetërore Shanghai Daily.
"Kjo është për të pasurit që të luajnë. Njerëzit e zakonshëm as nuk kanë mundësi të pinë diçka”, tha një përdorues i Weibo.
Një përdorues tjetër kërkoi marrjen e masave nga autoritetet, duke shtuar: "Departamentet përkatëse duhet të kujdesen për këtë."
Incidenti vjen menjëherë pasi autoritetet hetuan një hotel në qershor për ofrimin e një "shërbimi zgjimi" me panda të kuqe. Hoteli në rajonin jugperëndimor të Chongqing lejoi kafshët të ngjiteshin në shtretër për të zgjuar mysafirët. (A2 Televizion)