
Më shumë se 100 aktivistë që ndodheshin në bordin e anijeve me ndihma humanitare të destinuara për Gazën janë dërguar në ishullin grek të Kretës, pasi forcat izraelite ndaluan dhe sekuestruan mjetet e tyre në ujëra ndërkombëtare pranë Greqisë. Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e nismës “Freedom Flotilla”, sipas raportimeve të Reuters.
Sipas organizatorëve, gjithsej 168 anëtarë të ekuipazhit janë transferuar në Kretë, ndërsa dy aktivistë të tjerë mbeten ende nën mbikëqyrjen e autoriteteve izraelite. Nuk janë dhënë menjëherë detaje të plota mbi gjendjen shëndetësore të të ndaluarve apo kushtet e trajtimit të tyre, përcjell A2CNN.
Grupi bëri të ditur gjithashtu se deri tani 22 anije të flotiljes janë interceptuar nga Izraeli, ndërkohë që 47 të tjera vazhdojnë lundrimin drejt Gazës, duke sfiduar bllokadën detare që ka qenë prej vitesh në fuqi ndaj territorit palestinez.
Kjo ngjarje pritet të rrisë tensionet ndërkombëtare dhe të rikthejë debatin mbi ligjshmërinë e ndërhyrjeve në ujëra ndërkombëtare, si dhe mbi situatën humanitare në Rripin e Gazës, ku organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar vazhdimisht për mungesë të theksuar të ndihmave bazë. (A2 Televizion)