
Prokurorët rumunë kanë ngritur zyrtarisht të premten akuza ndaj influencuesit britaniko-amerikan Andrew Tate për trafikim të të miturve, pastrim parash, marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe ndikim ndaj dëshmitarëve. Vëllai i tij, Tristan Tate, akuzohet për bashkëpunim në disa prej veprave, shkruan A2 CNN.
Sipas prokurorisë rumune, një prej viktimave të përfshira në dosje ishte 15 vjeç në kohën kur Andrew Tate e kishte joshur në Britani, në vitin 2012. Prokurorët pretendojnë se më pas ajo u dërgua në Bukuresht, ku u detyrua të prodhonte materiale pornografike për një biznes me kamera online.
Autoritetet rumune thonë se vëllezërit Tate i joshnin viktimat duke u premtuar marrëdhënie romantike ose martesë, përpara se t’i detyronin të prodhonin përmbajtje pornografike. Në rastin e vajzës 15-vjeçare, prokurorët pretendojnë se është përdorur dhunë fizike dhe presion psikologjik.
Sipas hetuesve, Tristan Tate ka luajtur gjithashtu një rol në shfrytëzimin e viktimës, duke përdorur, sipas tyre, agresion fizik për ta detyruar të vazhdonte aktivitetin.

Prokuroria pretendon gjithashtu se vëllezërit kanë përfituar rreth 1.25 milionë dollarë nga të ardhurat e krijuara prej viktimës përmes videochat-it, ose rreth 80% të fitimeve të saj. Sipas hetuesve, paratë më pas janë tentuar të pastrohen përmes blerjes së katër automjeteve luksoze.
Andrew dhe Tristan Tate i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, shkruan A2 CNN. Avokati i tyre në Rumani, Eugen Vidineac, deklaroi se mbrojtja do të shqyrtojë me kujdes aktakuzën dhe do të kundërshtojë çdo mangësi ligjore, procedurale apo në lidhje me provat.
Vëllezërit Tate ndodhen aktualisht në paraburgim në Shtetet e Bashkuara, pasi Britania e Madhe ka kërkuar ekstradimin e tyre në lidhje me akuza për përdhunim. Nuk është ende e qartë nëse prokurorët rumunë do të kërkojnë gjithashtu ekstradimin e tyre nga SHBA.
Ata janë nën hetim në Rumani që nga dhjetori i vitit 2022. Një çështje e mëparshme ndaj tyre për trafikim njerëzor ishte dërguar sërish te prokurorët në fund të vitit 2024, pasi Gjykata e Apelit e Bukureshtit kishte cilësuar disa prova si të papranueshme.
Aktakuza e re nuk do të çojë menjëherë në fillimin e gjyqit. Sipas procedurës rumune, dosja i dërgohet fillimisht një gjyqtari të dhomës paraprake, i cili duhet të shqyrtojë ligjshmërinë e aktakuzës dhe të provave. Vëllezërit mund të gjykohen edhe në mungesë.
Andrew Tate, ish-kickboksier profesionist, është bërë një figurë e njohur në rrjetet sociale, veçanërisht mes audiencave të reja meshkuj, përmes një imazhi të lidhur me pasurinë, makinat luksoze dhe një qëndrim të hapur kundër grave. (A2 Televizion)