Egnatia është gati për të shkruar një kapitull historik në arenën europiane. Rrogozhinasit kanë zyrtarizuar listën e futbollistëve që do të kenë në dispozicion për aventurën europiane, ndërsa trajneri Nevil Dede do të bëjë llogaritë me një grup prej 21 lojtarësh.
Kjo është lista me 21 futbollistët e thirrur ndërsa gjashtë emra kanë mbetur jashtë. Mes tyre spikasin Ledio Beqja dhe Bakayoko, ndërkohë që mungojnë edhe Deivid Hoxha, Bjorni Duka, Reis Bakalli dhe Zyber Çullhaj. Mungesa e Beqjas është një nga surprizat më të mëdha. Mesfushori, i afruar me bujë, është përballur me një sërë dëmtimesh që prej transferimit dhe nuk do të jetë pjesë e skuadrës europiane. Ndërkohë, situata e Bakayokos është edhe më e komplikuar, pasi dëmtimi i rëndë pritet ta mbajë për disa muaj larg fushave.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në listë është rregulli i UEFA-s për lojtarët e formuar në klub. Për shkak të mungesës së futbollistëve që plotësojnë kriteret e kërkuara të formimit në klub, Egnatia nuk ka mundur të plotësojë listën maksimale prej 25 lojtarësh dhe do të garojë me vetëm 21.
Tani për Egnatia nis misioni europian! Kampionët e Shqipërisë nuk ka ndërmend të jetë thjesht një pjesëmarrëse. Ekipi i Nevil Dedes synon të tregojnë se suksesi i tyre nuk është rastësi. Sfida e parë e fazës së ligës do të jetë më 15 tetor, kur Egnatia do të përballet me Midtjylland, në orën 18:45, në stadiumin “Air Albania”.
Më pas, kampionët shqiptarë do të sfidojnë Aarhus, Universitatea Craiova, Lincoln Red Imps, Kauno Zalgiris dhe Braga. Një kalendar i vështirë, emra të njohur dhe gjashtë net europiane përpara... Europa pret Egnatian. Dhe kampionët shqiptarë janë gati të luftojnë për të shkruar historinë!
LISTA ZYRTARE E EGNATIAS
Portierë: Levani Tandilashvili, Bruno Puja, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Zamig Aliyev, Alessandro Kacbufi, Edison Ndreca, Guillem Jaime, Numan Ajeti, Elion Sota, Andrey Yago, Eneo Bitri, Geralb Smajli
Mesfushorë: Albano Aleksi, Fernando Medeiros, Ibrahim Diabate, Altin Kryeziu, Karim Loukili
Sulmues: Daniel Adjessa, Alessandro Albanese, Ildi Gruda, Jurguens Montenegro
Trajner: Nevil Dede
Mungesat: Ledio Beqja, Sumaila Bakajoko, Deivid Hoxha, Bjorni Duka, Reis Bakalli, Zyber Çullhaj (A2 Televizion)