Sulmi kundër dasmorëve në Iran, hetimi: Raketa amerikane goditi drejtpërdrejtë godinën

Nga Rosalba Bejdo
4 Shtator 2026, 10:30 | Bota

Një shpërthim që përfshiu një dasmë në jug të Iranit të martën, duke vrarë katër persona dhe plagosur të paktën 68 të tjerë, ka shumë gjasa të jetë shkaktuar nga një goditje e drejtpërdrejtë e një municioni amerikan dhe jo nga një predhë që ka bërë rikoshet pasi ka goditur një objektiv tjetër. Në këtë përfundim kanë arritur ekspertë të armëve, të cilët shqyrtuan pamje dhe video të verifikuara nga Reuters.

Incidenti në qytetin e vogël Kuhestak ka rikthyer shqetësimet lidhur me numrin e civilëve të vrarë në luftën e SHBA-së me Iranin dhe përbën rastin më të rëndë që nga shkurti, kur një raketë goditi një shkollë fillore iraniane, duke vrarë dhjetëra fëmijë dhe mësues brenda saj, shkruan A2CNN. 

Komanda Qendrore e SHBA-së kishte njoftuar se forcat amerikane kryen disa sulme në jug të Iranit më 1 shtator, duke goditur pozicione të mbrojtjes ajrore të Gardës Revolucionare Islamike, sisteme radarësh dhe objekte të komunikimit. Sulmet erdhën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mëparshme iraniane kundër objekteve ushtarake amerikane në zonën e Gjirit.

Të enjten, nënpresidenti amerikan JD Vance tha se Shtetet e Bashkuara po hetonin sulmin.

“Po e hetojmë, sepse sigurisht që na intereson. Duam të dimë se çfarë ka ndodhur.

Video që tregojnë pasojat e sulmit në shtëpinë ku po zhvillohej ceremonia martesore janë shpërndarë në rrjetet sociale. Aty shfaqen mbetje të veshjeve festive dhe dekorime shumëngjyrëshe dasme, në përputhje me zakonet lokale.

Agjencia e lajmeve Reuters ua tregoi videot dhe fotografitë e incidentit katër ekspertëve ushtarakë të armëve. Ata thanë se dëmet ishin në përputhje me një goditje të drejtpërdrejtë dhe jo me dëme dytësore të shkaktuara nga një municion që kishte bërë rikoshet pasi kishte goditur një objektiv tjetër.

Tre prej ekspertëve thanë se municioni ka shumë gjasa të ketë qenë një armë amerikane dhe jo një raketë iraniane e mbrojtjes ajrore që kishte devijuar nga objektivi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos