Alarm për përmbytje të reja. Bilanc dramatik nga katastrofa në Nepal, mbi 3 mijë të zhdukur

Nga Rosalba Bejdo
30 Gusht 2026, 14:53 | Bota

Autoritetet në Nepal kanë paralajmëruar për rrezikun e përmbytjeve të reja dhe u kanë bërë thirrje banorëve në zonat e prekura të qëndrojnë në gatishmëri të lartë.

Alarmet për rrezikun nga përmbytjet u dërguan në telefonat e qytetarëve të dielën në mëngjes, pasi niveli i ujit në lumin Bhotekoshi u rrit ndjeshëm. Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vijojnë punën për të hapur një nga rrugët kryesore që lidh Katmandun me zonat më të goditura nga katastrofa e së mërkurës, kur përmbytje e rrëshqitje masive dheu shkatërruan ndërtesa, ura dhe rruge.

Bilanci tragjik në Nepal dhe Tibet ka shkuar në të paktën 768 viktima, ndërsa më shumë se 3 mijë persona rezultojnë të zhdukur. Autoritetet bëjnë të ditur se operacionet e kërkim-shpëtimit janë ndërprerë disa herë për shkak të motit të keq dhe rritjes së nivelit të lumenjve.

Në Nepal, situata është përkeqësuar edhe nga një liqen i formuar pas shembjes së një akullnaje në kufirin me Kinën, i cili ka nisur të derdhet në lumenj. Operacionet e shpëtimit janë përqendruar veçanërisht në tunelet e hidrocentraleve, ku dyshohet se mund të jenë bllokuar qindra persona.

Sipas Kryqit të Kuq, katastrofa mund të ketë prekur mbi 90 mijë njerëz. Kina e ka lidhur fatkeqësinë me pasojat e ndryshimeve klimatike.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos