Rusia paralajmëron të ndërmarrë sulme të shkallës së gjerë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes në Moskë tha në një njoftim se forcat e armatosura kanë nisur përgatitjet për sulme masive, siç pretendon në hakmarrje të shënjestrimit të infrastrukturës civile dhe të naftës nga Ukraina.
Paralajmërimet kanë nxitur frikën për një ripërsëritje të dimrit të kaluar, kur bombardimet intensive të Moskës ndaj rrjetit elektrik lanë miliona njerëz pa energji në temperatura të acarta, shkruan A2.
Deklarata vjen një ditë pas një vale të fortë sulmesh në Ukrainë, ku u godit një depo armësh në Bucha, pranë kryeqytetit Kiev. Të paktën 38 veta humbën jetën në sulm, 20 u plagosën dhe rreth 4 persona janë shpallur të zhdukur.
Presidenti Volodimir Zelenski paralajmëroi për ndotje masive në zonë, teksa ekipet e emergjencës po pumojnë ende për të shuar flakët e mbetura dhe pastruar zonën nga lëndët shpërthyese: “Goditja e parë ishte ndaj një depoje municionesh të Forcave të Mbrojtjes, e cila qartazi nuk duhej të ishte vendosur aty. Shpërthimi bëri që të shpërthenin predha, mina, municione të tjera dhe dronë. Shpërthimi ishte shumë i madh”.
Sulmi shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, i pasuar nga disa shpërthime të tjera, duke bërë që flakët të përfshinin edhe zonat e banuara përreth. Sipas zyrtarëve rajonalë, rreth 50 ndërtesa u dëmtuan, ndërsa më shumë se 380 banorë u detyruan të evakuoheshin.
Mes viktimave ishte edhe Taras Didych, kryetari i bashkisë së fshatit të afërt Dmytrivka. Ky konsiderohet një nga incidentet e vetme më vdekjeprurëse në rrethinat e Kievit që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, më shumë se katër vjet më parë.
Prokurorët ukrainas kanë nisur një hetim penal për neglizhencë, duke u përqendruar te arsyeja se përse eksplozivët ishin magazinuar kaq pranë zonave të banuara. (A2 Televizion)