Platforma e komunikimit dhe dixhitalizimit të Partisë Demokratike, e prezantuar nga Sali Berisha, shihet me skepticizëm nga analistët politik.
Fitim Zekthi, në një intervistë për A2CNN, argumenton se problemi i Selisë Blu nuk është komunikimi, por sepse kjo forcë politike nuk shëndrrohet dot instrument i shoqerisë për ndryshim.
“Pikë së pari, e shoh si një përpjekje të Partisë Demokratike për t’u treguar njerëzve, anëtarëve e simpatizantëve se ajo po përpiqet të lëvizë, po përpiqet të ripërtërihet, të bëhet aleate e shqetësimeve të shoqerisë. Në fakt, nuk është kjo. Është thjesht një xhirim në vend, për të mbajtur me gajret mbështetësit dhe shqiptarët”, u shpreh Zekthi.
Sipas Berishës, platforma e re ka në qendër anëtarin, por për Zekthin edhe kjo qasje është e gabuar: “Kjo bëhet vetëm për t’u treguar anëtarëve të partisë që ne ju duam, ne ju pyesim ju, por në fakt në qendër nuk është anëtari. E vërteta është që është kryetari dhe lidershipi i partisë në qendër të partisë. Edhe parimisht nuk mund të ketë në qendër anëtarin, një parti në qendër idenë e duhur, anëtari mbështet këtë ide”.
Por, çfarë duhet të bëjë Partia Demokratike që të ndryshojë?
“Duhet të përfaqësojë pakënaqësinë e njerëzve ndaj qeversjes. Pakënaqësia përfaqësohet duke pasur idenë e duhur dhe njerëzit që e mbartin këtë ide në mënyrë të sinqertë. PD nuk i ka njerëzit e duhur dhe nuk ka idenë e duhur. PD duhet të ndryshojë në mënyrë radikale, qasjen e saj ndaj shoqërisë”, thotë Zekthi.
Demokratët me platformën e re të komunikimit dhe dixhitalizimit synojnë një qasje të re si me anëtarësinë dhe me qytetarët. Lideri i Partisë Demokratike i kërkoi fund të letargjisë dhe matje të performancës së gjithësecilit prej anëtarëve. (A2 Televizion)