Masakrat serbe në Kosovë, zbulohet zona e tretë me varre masive në Zubin Potok

Nga Erjon Dervishi
4 Gusht 2026, 19:46 | Kosova

Autoritetet e Kosovës kanë bërë me dije se kanë zbuluar një zonë të tretë të mbetjeve mortore që dyshohet se u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Lajmin e ka bërë me dije Prokuroria Speciale e Kosovës e cila ka njoftuar se po kryen hetimet për një lokacion të tretë, pas dy lokacione të fundit të zbuluar në Zubin Potok.

Sipas një njoftimi, gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jakubë të Zubin Potokut “janë gjetur mbetje”, të cilat, sipas Prokurorisë, do t'i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë.

“Aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila shtoi se hetimet për krimeve të luftës në Zubin Potok, po vazhdojnë në mënyrë intensive.

Gërmimet për një varrezë të dyshuar masive në Kalludër të Zubin Potokut nisën në fund të muajit korrik, ndërkaq disa ditë më parë, nisën gërmime edhe në Jakubë, të po kësaj komune në veri të Kosovës.

Njoftimi i Prokurorisë Speciale vjen në kohën kur kryenegociatori i Kosovës për dialogun teknik, Agron Bajrami, ka kërkuar që Bashkimi Evropian të sigurohet që Serbia të zbatojë plotësisht zotimet e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Përmes një postimi në X, Bajrami tha se ka kërkuar nga BE-ja që Serbia të ofrojë qasje të pakufizuar në arkiva dhe mbrojtje për ata që ofrojnë informacione.

Disa ditë më parë, Prokuroria Speciale në Kosovë konfirmoi se në fshatin Kalludër e Vogël janë gjetur mbetje mortore me origjinë njerëzore. Ndërkaq, më 3 gusht, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në Jakubë janë zbuluar mbetjet mortore të të paktën katër personave. Në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia më 2 maj të vitit 2023 arritën pajtim për Deklaratën për të Zhdukurit.

Kjo deklaratë parasheh zotimin e të dyja palëve për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 personave të zhdukur gjatë luftës më 1998-99. Në të nuk përmendet konkretisht hapja e arkivave ushtarake apo policore, po aty përmendet fjala “dokumente konfidenciale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos