Anija ruse në brigjet angleze, ministri britanik: Po ju vëzhgojmë, jemi gati

Nga Erjon Dervishi
19 Nëntor 2025, 20:14 | Bota

Një anije spiune ruse ka hyrë në ujërat territoriale britanike. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se anija ka drejtuar rreze të fuqishme lazeri drejt pilotëve të Forcave Ajrore Britanike që kishin mbërritur në vendngjarje. Ky është një tjetër përshkallëzim provokues nga Rusia e Vladimir Putinit. Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healy, e konfirmoi këtë në një reagim në parlamentin anglez. Ai iu përgjigj Moskës me të njëjtën monedhë: "Po ju ndjekim. Po ju vëzhgojmë. Jemi gati."

"Ndërsa po flas, një anije ruse spiune, Yantar, është në buzë të ujërave të Mbretërisë së Bashkuar në veri të Skocisë, pasi ka hyrë në ujërat më të gjera të Mbretërisë së Bashkuar gjatë disa javëve të fundit. Kjo është një anije e projektuar për mbledhjen e inteligjencës dhe hartëzimin e kabllove tona nënujore. Ne vendosëm një fregatë të Marinës Mbretërore dhe aeroplanë RAF për të monitoruar dhe ndjekur çdo lëvizje të kësaj anijeje, gjatë së cilës Yantar drejtoi lazerë drejt pilotëve tanë. Ky veprim rus është thellësisht i rrezikshëm. Dhe kjo është hera e dytë këtë vit që kjo anije, është vendosur në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar. Pra, mesazhi im për Rusinë dhe Putinin është ky: ne ju shohim, ne e dimë se çfarë po bëni. Dhe nëse Yantar udhëton në jug këtë javë, ne jemi gati", tha John Healey, ministri i Mbrojtjes së Anglisë.

Sipas raportimeve, elementi që e ka shqetësuar më tej Ministrinë Britanike të Mbrojtjes është fakti se rusët këtë herë nuk janë kufizuar vetëm në teknikat e mbikëqyrjes dhe spiunazhit, por kanë ndjekur në mënyrë aktive veprime shkatërruese kundër pilotëve të Forcave Ajrore Britanike, duke përdorur rreze lazeri. “Veprime jashtëzakonisht të rrezikshme”, sipas Ministrit të Mbrojtjes.

“Bota jonë po ndryshon”, vazhdoi Healey. “Është më pak e parashikueshme. Është më e rrezikshme. Dhe vetëm vitin e fundit, kemi parë luftën midis Izraelit dhe Iranit që e çon Lindjen e Mesme në prag të greminës. Kemi parë shpërthimin e konfliktit të armatosur midis Indisë dhe Pakistanit, spiunët kinezë synojnë demokracinë tonë në vend, Putinin të përshkallëzojë më tej luftën e tij në Ukrainë dhe vetëm këtë vit kemi parë gjithashtu qiellin e Evropës të goditur nga ndërprerje të rënda të shkaktuara nga dronët”.

Dhe ndërsa kërcënimi rritet, Britania do të luajë rolin e saj. Jam krenar që jam pjesë e një qeverie që e di se detyra jonë e parë është të mbrojmë kombin dhe të mbajmë qytetarët tanë të sigurt, një qeveri që ka bërë një angazhim historik për rritjen e investimeve në mbrojtje, sepse siguria jonë kombëtare nuk kushton lirë.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos