Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka vënë në alarm tregjet dhe sigurinë energjetike të Azisë. Por mes vendeve që varen më shumë nga kjo rrugë jetike e naftës, Kina duket paradoksalisht ndër më të përgatiturat për të përballuar goditjen. Vite diversifikimi të furnizimeve, rezerva strategjike, lidhje energjetike me Rusinë dhe Azinë Qendrore, por edhe revolucioni i makinave elektrike dhe energjive të rinovueshme, i kanë dhënë Pekinit një avantazh të rëndësishëm. Në një moment kur Uashingtoni përgatit një tjetër valë sanksionesh ndaj Iranit dhe partnerëve të tij, pyetja është sa e cenueshme është realisht Kina?
Shtetet e Bashkuara njoftuan një plan sanksionesh të quajtur “D-Day ekonomik”, që synon të zgjerojë masat ekonomike kundër Iranit dhe partnerëve të tij tregtarë, përfshirë Pekinin. Por kompanitë kineze jetojnë prej vitesh me sanksionet amerikane dhe kanë zhvilluar mënyra për t’i anashkaluar ato. Kina është importuesja më e madhe në botë e naftës që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, por njëkohësisht edhe ndër vendet më të përgatitura për të përballuar mbylljen e saj. Kina importon nga vendet e Gjirit pothuajse aq naftë sa India, Japonia dhe Koreja e Jugut së bashku. Ndërsa autoritetet në mbarë Azinë u bëjnë thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë, gazeta kryesore e Partisë Komuniste Kineze u ka kujtuar lexuesve se vendi ka burimet e veta për të garantuar sigurinë energjetike.
Alejandro Reyes, profesor: “Pra, nëse shohim planin e qëndrueshmërisë që Kina kishte parashikuar, ajo po siguron karburant dhe energji nga burimet tokësore, si Rusia dhe Kazakistani, por siguron gjithashtu energji përmes rrugëve detare, ku përfshihet edhe Hormuzi. Megjithatë, Kina është përpjekur të diversifikojë burimet e saj. Në fakt, po negocion me furnizues të tjerë. Ekziston mundësia që edhe një vend si Kanadaja t’i furnizojë Kinës disa produkte energjetike. Kështu, Kina është zhvendosur gjithashtu drejt energjive të rinovueshme, ku ka investuar shumë, veçanërisht në energjinë diellore dhe atë të erës”.
Një nga arsyet kryesore që ka ndihmuar Kinën ti bëjë ballë tronditjes në Hormuz, është revolucioni i makinave elektrike. Vetëm pak vite më parë, Pekini synonte që automjetet elektrike të arrinin në 20 për qind të shitjeve të makinave të reja. Sot, ato përbëjnë pothuajse gjysmën. Ky bum ka bërë që konsumi i naftës në Kinë të arrijë kulmin, pas dekadash rritjeje të shpejtë. Sasia e naftës që u zëvendësua nga përdorimi i automjeteve elektrike vitin e kaluar ishte përafërsisht e barabartë me importet e Kinës nga Arabia Saudite, sipas vlerësimeve të Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër. Analistët thotë se Kina ka investuar fuqishëm në energjitë e rinovueshme dhe ka ndërtuar një industri gjigante të automjeteve elektrike.
Kina zhvilluar një industri shumë të avancuar dhe të gjerë të automjeteve elektrike. Ajo është lider botëror në automjetet elektrike. Kjo ka bërë që kërkesa për lëndë djegëse fosile të bjerë. Dhe kjo e ka ndihmuar Kinën të përballojë goditjen e shkaktuar nga ndërprerja e rrjedhës së naftës bruto përmes Ngushticës së Hormuzit.
Por Kina nuk është mbështetur vetëm tek makinat elektrike. Rrjeti elektrik i Kinës furnizohet pothuajse tërësisht nga qymyri dhe burimet e rinovueshme, të cilat po rriten me shpejtësi. Zgjerimi i energjisë së pastër ka tejkaluar edhe objektivat e vetë Pekinit, aq sa pothuajse e gjithë kërkesa shtesë për energji elektrike çdo vit mbulohet tashmë nga kapacitete të reja diellore dhe të erës. Kjo do të thotë më pak importe qymyri dhe më pak gaz natyror të lëngshëm në provincat bregdetare, ku LNG-ja është pjesë e përzierjes energjetike.
Duke pasur parasysh kërkesën e ulët të konsumatorëve dhe zhvendosjen e kërkesës nga lëndët djegëse fosile drejt energjive të rinovueshme, Kina ka pasur në dispozicion më shumë produkte të lidhura me naftën dhe energjinë sesa mund të kishte parashikuar më parë. Kjo do të thotë se sot Kina ka një horizont më të gjatë kohor për të përballuar ndërprerjet e furnizimit, siç ndodhi me Ngushticën e Hormuzit, ndoshta më mirë se vendet e tjera të rajonit që kanë tregje më të vogla, kapacitete më të kufizuara industriale dhe më pak mundësi për të siguruar energji nga eksportuesit me të cilët Kina është e lidhur, si përmes rrugëve tokësore, ashtu edhe atyre detare.
Edhe importet e naftës janë diversifikuar me kujdes. Japonia siguron gati 80% të naftës së saj nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kina siguron të njëjtën përqindje nga tetë vende të ndryshme, mes tyre Rusia, Venezuela dhe Irani, që ofrojnë gjithashtu furnizime me çmime të reduktuara. Një pjesë e këtyre importeve shkon në rezervat strategjike të naftës, të cilat Kina i mban kryesisht sekrete. Askush nuk e di me saktësi madhësinë e tyre, por së bashku me rezervat e kompanive të rafinimit, Kina mund të ketë mjaftueshëm naftë të depozituar për të zëvendësuar importet që kalojnë përmes Hormuzit për rreth shtatë muaj, sipas disa vlerësimeve.Ndërkohë, prodhimi vendas i naftës arriti vitin e kaluar një rekord prej 4.3 milionë fuçi në ditë, ekuivalente me rreth 40% të importeve totale.
Do të thoja se Kina, si dhe kompanitë dhe subjektet kineze, qofshin shtetërore apo aktorë më të pavarur, kanë jetuar me sanksionet ose kanë vepruar përmes tyre prej shumë vitesh. Kjo ka nisur që nga administrata e parë e Trumpit. Pra, Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione të tjera dhe të identifikojnë kompani apo subjekte të caktuara ndaj të cilave do të vendosin kufizime ose masa përjashtuese. Por nuk mendoj se, në këtë pikë, këto masa të mëtejshme do të jenë realisht më efektive se masat e mëparshme. Kina dhe subjektet, kompanitë e të tjera kineze tashmë kanë gjetur mënyra për të përballuar, nuk do të thoja për t’iu shmangur, por për të kapërcyer sfidat e shkaktuara nga këto sanksione.”
Avantazhi i fundit i Kinës është vetë gjeografia. Kufijtë tokësorë dhe rrjeti i gazsjellësve i japin Kinës mundësi që fqinjët e saj ishullorë, si Japonia dhe Koreja e Jugut, nuk i kanë. Furnizimet me gaz përmes gazsjellësit “Poëer of Siberia” dhe rrugëve nga Azia Qendrore janë rritur vazhdimisht. Ndërkohë, planet për një gazsjellës të dytë nga Rusia mbeten ende në diskutim. Sipas ekspertëve Kina ka përdorur prej kohësh politikën e saj ekonomike të jashtme, përfshirë nismën “Një brez, një rrugë”, si dhe marrëdhëniet me Rusinë dhe Azinë Qendrore, për të adresuar sfidat e saj të brendshme energjetike.
Mendoj se Kina ka treguar se, në shumë mënyra, përdor politikat e saj të jashtme ekonomike, siç janë nismat ‘Një brez, një rrugë’, apo afrimi me Azinë Qendrore, Rusinë dhe vende të tjera të rajonit, sepse e kupton se duhet të përballet me sfida të brendshme. Kjo aftësi për të vepruar në interesin e vet, për të adresuar këto sfida dhe për të përdorur politikën e jashtme ekonomike, tregtinë dhe investimet për t’i përballuar ato, ka bërë që Kina të promovojë, zhvillojë dhe, nëse mund ta them kështu, të përsosë qëndrueshmërinë e saj dhe aftësinë për t’u përballur me goditje të tilla si lufta në Iran dhe situata në Ngushticën e Hormuzit.
Në një krizë që po teston sigurinë energjetike të gjithë Azisë, Kina duket se ka hyrë më e përgatitur se shumë të tjerë. Vite investimesh në energji, teknologji dhe alternativa furnizimi po i japin Pekinit kohë dhe hapësirë për të përballuar goditjen. Sepse për Kinën, Hormuzi është padyshim një arterie jetike – por jo më e vetmja rrugë për të mbajtur ekonominë në lëvizje. (A2 Televizion)