Ndërsa Policia dhe prokuroria po kryejnë verifikimet dhe hetimet, Kryeministri Rama pranon që sherri mes dy biznesmenëve ndodhi për shkak të një prone në jug. Për këtë arsye ai me anë të një video-mesazhi u shpreh që atë tokë do ta shpronësojë.
Ndryshe nga organet ligjjzbatuese që thonë se po hetojnë ende përplasjen mes dy biznesmenëve në Vlorë gjatë ditës së enjtes, kryeministri duket se është më i qartë. Në reagimin në rrjetet sociale pranon që konflikti ka ndodhur për prona në një zonë turistike. Me anë të një video-mesazhi nga Italia Rama e ka cilësuar sherrin mes dy grupeve si banal.
“Historia e djeshme e konfliktit banal dhe brutal mes dy ndërtuesve dhe, nga ana tjetër, një analizë e hartës pronësore të zonës në fjalë, na ka bindur se duhet jo vetëm t'i japim fund asaj historie, po duhet edhe t'i japim një mesazh të qartë të gjithë atyre që zhvillojnë apo edhe menaxhojnë asete turistike”.
Zanafillën e kësaj ngjarje të shëmtuar, siç e cilëson vetë ai, ka vendosur ta zgjidhë vetë. Tokën nuk do ta marrë asnjë prej tyre, pasi Kryeministri ka vendosur ta shpronësojë.
“Ne kemi vendosur ta shpronësojmë, ta shpronësojmë për interes publik të gjithë zonën e atij konflikti banal dhe brutal të ditës së djeshme dhe, sipas ligjit, ta kthejmë në një aset publik dhe turistik për të gjithë. Një oaz natyror për pemën e bekuar të ullirit. Një park i gjallë ku do të mbillen dhe do të ruhen varietete autoktone shqiptare dhe ato më përfaqësuese të Mesdheut, si edhe do të ekspozohen tërë vajrat e ullirit që prodhohen në Shqipëri”.
Më herët ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Shtetit nga Vlora u shprehën se po verifikohen deklaratat e të gjitha palëve të përfshira në dhunë.
Jo vetëm Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, por në këtë ngjarje është përfshirë edhe Ministri i mbrojtjes. Me anë të një deklaratë Erma Nufi mohon që dy persona të dyshuar që kanë qenë të pranishëm në ngjarjen e Vlorës të jenë bodigardët e tij personalë, por saktëson se janë oficerë të Policisë Ushtarake.
Sipas tij deri në përfundimin e verifikimeve, dy efektivët janë pezulluar nga shërbimi në Policinë Ushtarake. (A2 Televizion)