Një dron rus goditi selinë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU) në Kiev; ishte një goditje e drejtpërdrejtë dhe e rrallë ndaj një ndërtese kyçe qeveritare, e cila nxjerr në pah mungesën kritike të Ukrainës në sisteme të mbrojtjes ajrore. Sulmi, i cili ndodhi gjatë ditës, hera e parë që ndërtesa e SBU-së goditet gjatë konfliktit katër e gjysmë vjeçar, pasoi ditë të tëra sulmesh ajrore thuajse të pandërprera nga Rusia ndaj kryeqytetit ukrainas.
Autoritetet njoftuan se 12 persona mbetën të plagosur nga sulmi dhe se ekipet e emergjencës ndodheshin në vendngjarje.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se droni ishte drejtuar posaçërisht ndaj zyrës së kreut të SBU-së, Oleksandr Poklad, brenda asaj ndërtese. Më vonë, SBU-ja konfirmoi se Poklad ishte shëndosh e mirë dhe nuk kishte pësuar lëndime gjatë sulmit.
"Fola me kreun e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, Oleksandr Poklad. Fatkeqësisht, një dron rus goditi ndërtesën qendrore të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës në Kiev, përballë Katedrales së Shën Sofisë. Të gjitha shërbimet e emergjencës ndodhen në vendngjarje. Të gjithë të prekurit do të marrin ndihmën e nevojshme. Droni ishte drejtuar pikërisht te zyra e kreut të Shërbimit të Sigurisë në atë ndërtesë. E udhëzova Pokladin që, sapo të jenë gati të gjitha përgatitjet, t'u japë rusëve një përgjigje të përshtatshme e konkrete – dhe, kur të jetë e mundur, një përgjigje që pasqyron natyrën e këtij sulmi. Ushtria jonë do ta mbështesë këtë përgjigje. Lavdi Ukrainës!", u shpreh Zelensky.
Kyivi është përballur me tetë ditë sulmesh, ku goditjet kanë prekur ndërtesa të shumta në qendër të qytetit, si dhe magazina e fabrika – përfshirë një fabrikë të Coca-Cola-s – në periferi. Goditja ndaj SBU-së përbën një përshkallëzim të madh – dhe një shenjë se Kyivi e ka gjithnjë e më të vështirë të mbrojë objektivat e tij kyçe nga sulmet ruse, ndërsa përballet me mungesa kritike të raketave përgjuese.
Ndërkohë të dërguarit specialë të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, planifikojnë të vizitojnë Moskën dhe Kievin në ditët në vijim për të ushtruar presion për një zgjidhje diplomatike të konfliktit Rusi-Ukrainë. Por Moska nuk e ka pohuar një vizitë të tillë (A2 Televizion)