
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka filluar të publikojë në faqen e tij të internetit grupin e parë të dokumenteve që lidhen me hetimin ndaj Jeffrey Epstein, ish-financierit që kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019 pasi u dënua për abuzim seksual dhe trafikim ndërkombëtar të fëmijëve.

Në faqen që përmban dosjet, Departamenti ka vendosur një njoftim që sqaron se, "duke marrë parasysh afatin e caktuar nga Kongresi, janë bërë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të shqyrtuar dhe redaktuar informacionin personal në lidhje me viktimat dhe individë të tjerë privatë, si dhe për të mbrojtur materialet e ndjeshme nga zbulimi. Megjithatë, për shkak të vëllimit të informacionit të përfshirë, kjo faqe interneti mund të përmbajë ende informacione që përfshijnë pa dashje informacione personale jo-publike ose përmbajtje të tjera të ndjeshme, duke përfshirë çështje me përmbajtje seksuale eksplicite".

Qindra dokumente që lidhen me rastin Epstein, përfshirë fotografi të shumta, thuhet se janë ngarkuar në portal. Siç parashikoi Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche, materiali i publikuar nuk përfaqëson të gjithë dokumentacionin në dispozicion të autoriteteve federale. Dokumentet kanë të bëjnë me hetimin e kryer në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-financierit, i cili vdiq në burg në vitin 2019.
Dokumentet e publikuara të premten, edhe pse të pjesshme, i dhanë një vëmendje të veçantë ish-presidentit Bill Clinton, gjë që u theksua edhe nga administrata. Mes tyre kishte disa fotografi të papublikuara më parë, ku Clinton shfaqej pranë personave me fytyra të redaktuara. Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë identifikoi njërën prej figurave si viktimë, ndërsa Shtëpia e Bardhë aludoi për lidhje me “miq demokratë të Epstein”. Po kështu në foto janë edhe njerëz të famshëm si Michael Jackson dhe Mick Jagger.

Departamenti gjithashtu i ka organizuar dosjet në atë që e quan një "bibliotekë gjithëpërfshirëse Epstein". Dokumentet janë të ndara në disa seksione: dokumente gjyqësore që lidhen me procedurat penale dhe civile, materiale të publikuara në përputhje me ligjin e miratuar nga Kongresi dhe të nënshkruar nga Donald Trump, dokumente të publikuara pas kërkesave për qasje në të dhënat publike dhe dokumente nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve.

Dosjet e publikuara përfshijnë gjithashtu të ashtuquajturën "Lista e Masazhereve", një listë e "masazhereve" të dyshuara, e cila përfshin 254 emra . Megjithatë, të gjitha shënimet në listë janë fshirë. (A2 Televizion)