Amerika po sjell armët dhe fuqinë e madhe shkatërruese ushtarake për NATO-n dhe Ukrainën. “Ka fuqi zjarri që del nga industria jonë e mbrojtjes, e cila është shumë e rëndësishme dhe ne po bëjmë gjithçka kolektivisht për ta mbajtur Ukrainën të fortë”, tha Mark Rutte, Sekretar i përgjithshëm i NATO.
“Mark e përmendi, fuqinë e zjarrit. Kjo është ajo që po vjen. Ne e presim dhe po vjen nga NATO… Dhe një pjesë e kësaj, sigurisht, është iniciativa ku vendet europiane blejnë armë amerikane, i transferojnë NATO-s për luftën në Ukrainë, për të sjellë paqe në atë konflikt. Dhe nëse ka diçka që kemi mësuar nën Presidentin Trump, është zbatimi aktiv i paqes përmes forcës. Paqen e arrin kur je i fortë, jo kur përdor fjalë të forta ose tund gishtin. E arrin kur ke aftësi të forta dhe reale që kundërshtarët i respektojnë”, u shpreh Pete Hegseth, Sekretar i Luftës i SHBA.
NATO u bë bashkë kundër kërcënimit rus dhe në mbështetje të Ukrainës në samitin e ministrave të mbrojtjes në Bruksel, shkruan A2 CNN.
“Ky sesion do të përqendrohet në mënyrën se si do ta bëjmë edhe më të fortë parandalimin dhe mbrojtjen tonë, duke u mbështetur, sigurisht, në vendimet historike të marra në samitin e Hagës për të rritur masivisht shpenzimet e mbrojtjes dhe prodhimin e armatimeve”, tha Rutte.
Rutte, përpara takimit me ministrat e mbrojtjes, tha se aleanca ushtarake dhe Bashkimi Europian po punonin së bashku në përpjekjet e tyre për të ngritur një mur kundër dronëve për të mbrojtur vendet anëtare nga ndërhyrjet e dronëve. I pyetur nëse po dyfishonin përpjekjet, kreu i aleancës nënvizoi se BE dhe NATO kishin role të ndryshme, me NATO-n që ofronte kapacitete në anën ushtarake dhe BE-në që mbante fuqinë e butë të tregut të brendshëm dhe sigurohej që paratë ishin aty. (A2 Televizion)