20 palestinezë u vranë të mërkurën në një qendër të shpërndarjes së ndihmave të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës, grup i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA.
Sipas tij, tragjedia kishte ndodhur gjatë kaosit që shpërtheu mes turmës si pasojë e personave të armatosur. Fondacioni bëri më dije se 19 persona u shtypën nga turma dhe një u vra me thikë, në një prej qendrave të shpërndarjes së ndihmave në Khan Junis.
“Kemi arsye për të besuar se elemente të armatosur e të lidhur me Hamasin brenda turmës, qëllimisht nxitën trazirat”, tha fondacioni përmes një deklarate, shkruan A2.
Ndërkohë, autoritetet shëndetësore deklaruan për agjencinë e lajmeve Reuters se të paktën 20 vetë kishin vdekur si pasojë e mbytjes në vendin e ngjarjes. Sipas tyre, një numër i madh njerëzish ishin grumbulluar në një hapësirë të vogël në pritje të ndihmave dhe kishin shtypur njëri-tjetrin.
Zyra e OKB për të drejtat e njeriut pretendon se ka dokumentuar të paktën 875 vdekje në 6 javët e fundit, pranë pikave të shpërndarjes së ushqimeve apo ujit. (A2 Televizion)