
Irani bën me dije se është arritur një farë progresi në bisedimet me SHBA-të, por një marrëveshje "nuk është e afërt", shkruan A2CNN.
Komentet e zëdhënësit të ministrisë së jashtme, Esmail Baqai, erdhën pasi Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se një marrëveshje mund të arrihet të hënën.
“Është e saktë të thuhet se kemi arritur në një përfundim mbi një pjesë të madhe të çështjeve që janë në diskutim”, tha Baqai në Teheran të hënën. “Por të thuash se kjo do të thotë që nënshkrimi i një marrëveshjeje është i afërt, askush nuk mund ta bëjë një pretendim të tillë”, u shpreh ai.
Memorandumi i mirëkuptimit thuhet se përfshin një zgjatje të armëpushimit 60-ditor, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe një plan për negociata të mëtejshme mbi programin bërthamor të Iranit.
Në fundjavë, Presidenti Donald Trump sugjeroi se palët po shkonin drejt një marrëveshje, edhe pse më vonë tha se i kishte udhëzuar negociatorët “të mos nxitoheshin” për përmbylljen e saj. Të hënën, Rubio u tha gazetarëve në kryeqytetin indian, Delhi: "Menduam se mund të kishim disa lajme mbrëmë. Ndoshta sot."
Duke paralajmëruar se “nuk do t’i jepja shumë rëndësi”, Rubio tha: “Duhet pak kohë për të marrë përgjigje nga Irani.”
CBS News, ka raportuar se inteligjenca amerikane beson se udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, i cili u plagos në një sulm izraelit në ditën e parë të luftës, ku u vra babai dhe paraardhësi i tij, është fshehur në një vend të fshehtë, duke e bërë të vështirë komunikimin me të dërguarit e tij dhe për këtë arsye duke vonuar ritmin e bisedimeve me SHBA-në.
(A2 Televizion)